POLICËT DHE GAZETARËT PARTNERË NË TERREN, ZERO TOLERANCË PËR SULMET NDAJ GAZETARËVE


“Mos na pengoni në punë, as ne nuk do t’ju pengojmë juve, por përkundrazi do t’ju mbrojmë”, kjo ishte porosia e policisë drejtuar gazetarëve në punëtorinë mbi sigurinë e gazetarëve gjatë situatave kritike. Një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar në dhjetor ndërmjet MPB-së dhe SHGM-së, tani po jetësohet në të gjitha qytetet për të rritur bashkëpunimin ndërmjet zyrtarëve policorë dhe gazetarëve, duke synuar rritjen e sigurisë në situata me rrezikshmëri të lartë. Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se forcat e rendit do të bëjnë të pamundurën që gazetarët ta kryejnë punë e tyre në terren.

“Nuk ka asnjë arsyetim për sulme të tilla. Qëndrimi i qeverisë është i qartë dhe çdo herë e përsërisim se do të ketë zero tolerancë për çfarëdolloj tentimi të cenimit të shprehjes së lirë. Çdo sulm ndaj gazetarëve do të jetë rreptësishtë i sanksionuar”, tha Spasovski.

Nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë thonë se punonjësit e mediave dhe gazetarët kanë të drejtën e tyre të ushtrojnë profesionin pa kërcënime dhe presione. Kryetari i kësaj shoqate Naser Selmani thekson se ky trajnim do të mësoj policët se si të mos pengojnë gazetarët gjatë protestave, por t’i ndihmojnë ata në rast se u kanoset rrezik, siç kanë ndodhur në shumë raste në të kaluarën, thotë ai.

“Misioni i tyre për informimin e qytetarëve dhe kërkimi për llogaridhënie nga secili pushte nuk do të përmbushet nëse ata punojnë me pasiguri dhe frikë. Jemi të bindur se gjendja e lirisë së mediave në Maqedoni do të përmirësohet dukshëm nëse bashkërisht arrijmë t’i japim fund politikës së mos sanksionimit të sulmuesve ndaj gazetarëve”, u shpreh Naser Selmani.

Nga Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë thonë se punonjësit mediatik dhe gazetarët gjatë raportimit nuk kanosen vetëm në rastin e protestave, fatkeqësive natyrore apo konflikteve të armatosura. Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup Jeff Goldstain thotë se liria e fjalës është kusht i demokracisë.

“Dhuna ndaj gazetarëve përmban më shumë aspekte sesa që e mendojnë njerëzit. Nuk flasim vetëm për sulmet fizike ose kërcënimet verbale. Mund të jetë edhe paraburgim i jashtëligjshëm, dëmtimi i pronës, ndërmarrja aksioneve policore nëpër redaksitë ose shtëpitë e gazetarëve, gjuha e urrejtjes ose sulmet në rrjetet sociale, madje edhe ngacmimet seksuale ndaj gazetareve femra”, u shpreh Jeff Goldstain, Shef i misionit të OSBE-së në Shkup.

Të dhënat e MPB-së tregojnë se në vitin e fundit në Maqedoni janë evidentuar 12 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, sipas të cilëve të gjitha rastet janë zbardhur. Ministri Spasovski tha se edhe prokuroria dhe gjykata duhet të bëjnë punën e tyre që në rastet e proceduara të dënohen kryerësit e veprave penale ndaj fjalës së lirë, përkatësisht ndaj gazetarëve.

Përgatiti: Adnan Qaili