Podujevë: Ky është Arian Selmani,i ekzekutuar mbrëmë me breshëri plumbash


Mbrëmë në fshatin Surkish të Podujevës, ka mbetur i vrarë një person dhe i plagosur rëndë një tjetër, si shkak i një sulmi me breshëri plumba ndaj tyre.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.

“Njëri ka vdekur, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë në intensivë”, ka thënë Shpend Fazliu.

Viktima është 30-vjeçari, Arian Selmani, nga fshati Surkish, kurse, nga terreni raporton T7 se i plagosur rëndë ka mbetur daja i tij.

Ende nuk dihen arsyet e kësaj vrasje, derisa Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin.

Gjithashtu, raportohet se deri tani nuk ka asnjë të dyshuar lidhur me këtë rast.

“Rreth orës 22:00, policia ka marrë informatën se në fshatin Surkish të Komunës së Podujevës ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Dy persona janë plagosur nga arma e zjarrit dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rastin në fjalë”, ka thënë Agron Borovci.

Policia jep detaje për vrasjen:

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ku ka shkuar policia, duke konstatuar plagosjen e dy personave me armë, njëri prej të cilëve, Arian Selmani, i cili pasi u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor, rreth orës 01:00 ka vdekur duke mos mundur t’i përballojë plagët e shkaktuara.

Ky është njoftimi i Policisë:

Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Surkish të Podujevës, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.

Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me plagosje ku nga arma e zjarrit, janë plagosur viktimat:

• A. S , 30 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar,

• E. S, 23 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar ,

të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga viktimat (A.S), nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe rreth orës 01:00, nga QKUK-ja jemi njoftuar se viktima ka ndërruar jetë.

Aktualisht hetuesit policor, janë duke ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në

përpjekje për të identifikuar personat e dyshuar si dhe për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha

rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si Vrasje e rëndë.