Po zvarritet vendimi për hapjen e kafeneve dhe restoranteve, pronarët: Po kapitulojmë

Pronarë të kafeterive dhe restoranteve janë në pritje të vendimit për hapjen e lokaleve të tyre, ndërsa thonë se biznesi i tyre dita ditës po shkon drejt mbylljes totale.

“Ne jemi pranë një kolapsi dhe falimentimi. Po na mbajnë zvarrë me vendimin për hapjen. Tanimë disa muaj nuk kemi punuar. Kredia që kemi aplikuar po vonohet, janë vonuar edhe rrogat që duhet ti lëshojë shteti nga pakot ekonomike që i ka propozuar. Nuk e di si do tia dalim”, thotë një pronar i një lokali në Shkup.

Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse ende nuk ka vendosur për datën në të cilën do të hapen kafenetë dhe restorantet. Edhe pse pronarët e kafeneve dhe restoranteve nuk kanë marrë një protokoll zyrtar pune, ata tashmë po i rregullojnë objektet.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se ekziston një protokoll fillestar i punës, por kur do të hapen objektet, ky është vendim i Komisionit. Për shkak të shpërthimit të virusit në vend, kafenetë dhe restorantet ishin të parat që u mbyllën si masë parandaluese kundër përhapjes së infeksionit.

Një nga kushtet për të punuar është funksionimi i pjesëve apo hapësirave të hapura të lokaleve, mbajtja e distancës së tavolinave si dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i hapësirës.