“Po ta dija se do mbytej me fëmijët s’do e kisha lënë kurrë” Kunata tregon bisedën e fundit me Alma Arrazin: Ja kë telefonova pasi u ndamë


Valentina Arrazi, kunata e Alma Arrazit, është personi i fundit që e takoi përpara se 39 vjeçarja t’i jepte fund jetës bashkë me tre fëmijët e mitur mbrëmjen e 2 majit në ujërat e lumit Buna në Shkodër.

Ajo është thirrur nga Prokuroria e Shkodrës për të dëshmuar edhe njëherë lidhur me bisedën mes tyre gjatë kohës që po pinin kafe dhe momentin kur më pas viktima u largua së bashku me 3 fëmijët e mitur.

Valentina Arrazi ka rrëfyer se rreth orës 17:30 sëbashku me kunatën e saj dhe fëmijët kanë dalë nga shtëpia për të pirë një kafe, gjë që e praktikonin shpesh mes tyre pasi kishin një marrëdhënie shumë të mirë.

Kunata ka treguar edhe fjalët e fundit të 39-vjeçares, ndërsa ka sqaruar edhe momentin e ndarjes nga Alma Arrazi dhe më pas telefonatën që bëri në mjedisin e jashtëm të lokalit.

“Dolëm për të pirë një kafe sëbashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Unë e kam dashur shumë Almën edhe ajo mua e po ashtu edhe fëmijët kanë shkuar shumë mirë ndaj edhe dolëm si zakonisht me njëra-tjetrën. Rrugës përpara se të mbërrinim unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola Alma më tregoi se Erdgysi, kishte kaluar me makinë sëbashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë. Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market por Alma më tha se kishte kaluar.

Kemi vijuar rrugën dhe u ulëm në kafe. Fëmijët po luanim dhe me Almën biseduam pak për marrëdhënien e saj me Erdgysin. Më pas vijuam edhe me biseda të tjera dhe rreth orës 20:10 ikëm nga aty. Alma më tha më përpara se do të vinte ta merrte i vëllai me taksi dhe se do shkonte tek familja e saj në Durrës derisa të sqaroheshin me bashkëshortin e saj. Më tregoi se Erdgysi ishte në dijeni se do ikte dhe u ndamë”, tha ajo.

Valentina Arrazi tregoi se kunata e saj ishte larguar edhe para rreth një muaji tek familjarët për shkak të debateve me Erdgysin dhe se nuk dyshoi kur ajo i tha se do ta merrte i vëllai.

“Para një muaji Alma kishte qenë tek familja e saj në Durrës për shkak të debatave që mund të kenë pasur. Pavarësisht situatës, Alma i ka kërkuar Edgysit që të shkonte e ta merrte dhe se ia kishte falur faktin që ishte njohur me një vajzë tjetër me shpresen se ai do ta linte atë për të vijuar me familjen e tij. Erdgysi ka shkuar dhe e ka marrë duke qenë se ajo e kishte kërkuar. Fakti që ishte larguar edhe para një muaji tek familja nuk më bëri të dyshoj për atë gjë aq të rëndë që Alma bëri. Unë po ta dija se Alma do mbytej bashkë me fëmijët do kisha bërtitur në mes të lokalit dhe nuk do ta kisha lënë kurrë por nuk e dija sepse thjeshtë më tha se do e merrte i vëllai”.

Fakti që Alma ka qenë përpara një muaji tek familja dhe se ajo vetë ka kërkuar të rikthehej e ka konfirmuar për prokurorinë edhe motra e 39 vjeçares Genta Bushati.

Valentina Arrazi ka sqaruar edhe momentin kur ajo merr telefonin në dorë sapo ndahet nga kunata e saj.

“Pasi Alma u largua unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi”.

Kjo bisedë mes Valentinës dhe bashkëshortit të saj është verifikuar nga prokuroria dhe dëshmia rezulton e saktë duke hedhur poshtë aludime të tjera. Kunata e 39 vjeçares tregoi se pas gati dy orësh, pasi kanë komunikuar edhe me motrën e Almës, e cila ka konfirmuar se ajo nuk kishte shkuar në Durrës siç kishte deklaruar në kafe, e gjithë familja Arrazi kanë dalë për ta kërkuar në Shkodër për ta gjetur.

“Unë i thashë bashkëshortit kur ika në shtëpi se Alma do shkonte tek familja e saj në Durrës. E mori vesh edhe Erdgysi se do shkonte në Durrës. Pas afro dy orësh kemi komunikuar me motrën e Almës dhe ajo na tha se nuk kishte shkuar atje. Kjo na bëri të dyshojmë dhe e gjithë familja jonë dolëm me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku Alma, por nuk e gjetëm askund.

Kemi kërkuara e pyetur shumë edhe të nesërmen më 3 maj por askush nuk na konfirmoi asgjë derisa Erdgysi shkoi në polici dhe bëri denoncimin për humbjen e saj dhe të tre fëmijëve”.

Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39-vjeçares që u mbyt në lumin Buna bashkë me 3 fëmijët e saj vijon të jetë në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat të dhënë nga Gjykata e Shkodrës.

31-vjeçari është i dyshuar nga prokuroria për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” e cila dyshohet se ka ardhur nga veprimet dhe dhuna psikologjike e tij ndaj bashkëshortes.

Motra e Alma Arrazit ka akuzar bashkëshortin e saj për dhunë psikologjike që ka vijuar prej vitesh dhe së fundmi situata mes tyre është tensionuar edhe më shumë kjo edhe për shkak të një lidhje me një vajzë 17 vjeçare e cila e ka pranuar marrëdhënien me Erdgysin pasi është marrë në pyetje.

Erdgys Arrazi i ka mohuar këto akuza ashtu siç edhe familja Arrazi i hedh poshtë. Prokuroria është duke pritur edhe përgjigjet e ekspertizës për bisedatat telefonike mes 31 vjeçarit dhe Alma Arrazit dhe mesazhet që mund të kenë shkëmbyer gjatë gjithë kësaj kohe.

Ndërsa priten edhe përgjigjet nga ekspertët toksikologjik për të vërtetuar nëse 39 vjeçarja dhe fëmijët e saj mund të kenë konsumuar medikamente të ndryshme në momentet e fundit ndërsa vijojnë hetimet e thelluara për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.