Po rritet numri i rasteve të reja, por a do të ketë kufizime?!


Nuk përjashtohet mundësia për kufizime të reja, por tani për tani nuk do të ketë, deklaroi minsitri i Shëndetësisë Venko Filipçe pasi gjatë periudhës së kaluar u shënua rritje e butë e numrit të të sapoinfektuarve dhe paraqitje e shpeshtë e rasteve me llojin e ri britanik të virusit.
“Nuk ka indikacione të tilla, pasi rritja nuk është e tillë, siç ishte në fillim të nëntorit. Kemi rritje të butë, që nuk është rrezik për kapacitetet spitalore, por gjithsesi është shkak që qytetarët të jenë absolutisht shumë të kujdesshëm”, tha dje Filipçe.

Numrat në buletinin shëndetësor sërish janë më të larta se ditën paraprake, dje janë regjistruar 721 raste të reja me Kovid-19 nga 3.816 teste, 167 më tepër se pardje. Mes personave të infektuar është edhe lideri opozitar, Hristijan Mickovski, i cili këtë e konfirmoi në profilin e tij në Fejsbuk.
Edhe më tej më së shumti të infektuar, krahas Shkupit, ka në Prilep. Kavadari dhe Ohri, po ashtu pas kryeqytetit, kanë më shumti raste aktive.

Filipçe apeloi që qytetarët t’i respektojnë masat – mbajtjen e maskës dhe distancës, duke i përmendur këto tre komuna me numër të rritur të të diagnostikuarve, por edhe pacentëve të hospitalizuar me variantin britanik të virusit, i cili, tha ai, shumë lehtë bartet.
Ministri gjatë vizitës në spitalin në Gostivar, ku është lëshuar në përdorim Kovid-qendra modulare, deklaroi se gjatë disa ditëve të ardhshme do të mund saktë të thotë kur do të arrijnë dy sasitë e vaksinave kundër Kovid-19 , ato kineze dhe ato ruse.

“Nuk do të doja tani të spekuloj, dëshiroj të jem i saktë, të dimë saktë se kur do të arrijnë. Ja po anulohet pak periudha. Pres me të vërtetë që këto biseda të përfundojnë sa më shpejtë. Për çdo ditë ka momente të reja nga kompanitë, kjo vlen për të gjitha kompanitë. Nga Fajzer, për të cilin e presim darft marrëveshjen. Me kompaninë ruse intensivisiht bisedojmë tani këto ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe gjithsesi me atë kineze”, deklaroi ministri Filipçe, i cili sot ishte për vizitë në spitalin e Gostivarit, ku u lëshua në përdorim Kovid qendra modulare.

Në videoporosinë me rastin e një viti nga paraqitja e rastit të parë me koronavirus dhe fillimit të epidemisë në vend, ministri tha se furnizimi i vaksinave është sfida më e madhe për të gjitha vendet në botë dhe se rreth 130 vende ende nuk e kanë filluar procesin e imunizimit. Ai theksoi se Qeveria bën përpjekje maksimale që të sigurohen vaksina dhe është i bindur se shumë shpejtë do të fillojë vaksinimi masiv.

Ai tha se sistemi shëndetësor ka treguar dituri dhe përvojë që të ballafaqohet me sfidën më të madhe shëndetësore në historinë më të re. Iu falënderua punonjësve shëndetësorë, për të cilët theksoi se e meritojnë tërë respektin dhe falënderimin, pasi, siç tha – ishin në vijën e parë të luftës me virusin dhe treguan qëndrueshmëri, profesionalitet dhe patriotizëm në nivelin më të lartë.

Në statsitikën e djeshme janë evidentuar edhe 171 pacientë të shëruar, por edhe shtatë raste të vdekjes, të moshës prej 43 deri 81 vjeç. Në spitalet në shtet janë hospitalizuar 669 pacientë pozitivë dhe dyshimtë në koronavirus, prej të cilëve 242 në kryeqytet, ndërsa 427 në kovid-qendrat dhe repartet infektive në qytetet tjera. Ministria e Shëndetësisë kumtoi se ka 380 shtretër të zbrazët spitalorë. Numri i rasteve aktive në vend është 8.290, prej të cilëve 3.681 janë në Shkup.