“Po bre po, çka të thotë Amerika do të bëjmë”, a do të bëhet Driton Selmanaj sonte i dëgjueshëm për Amerikën edhe për kuorumin e Presidentit

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, është duke qëndruar në sallën e Kuvendit ku për dy herë pati përpjekje të dështuara për nga kuorumi për t’u zgjedhur Presidenti i ri. Por, Selmanaj, nuk po voton, duke e pamundësuar kështu kuorumin për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për Presidente.

Selmanaj, që flet vazhdimisht për ruajtje të partneritetit me SHBA-të, po e ‘sfidon’ thirrjen e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, sikurse edhe të ambasadorëve të vende tjera mike të Kosovës, të cilët i kanë kërkuar atij sikurse të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votimin për Presidentin.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin e presidentit. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin”, ka reaguar sot Kosnett, pak para fillimit të seancës së sotme.

E deputeti i LDK-së para pak muajsh thoshte se ai dhe LDK-ja do dëgjojnë Amerikën në gjitha çështjet e kontekstit dhe integritetit të Kosovës.
“Po breh po, çka të thotë Amerika për këtë vend do të bëjmë në kontekstit të integriteti të vendit, në kontekst të subjektivitetit të tonë ndërkombëtarë dhe në kontekstet të ecjes tonë përpara”, kishte deklaruar Selmanaj, më 27 janar 2021.

“Ne konsiderojmë aleatin tonë strategjik SHBA-në miqësia jonë është përhershme, ne konsultoheni për shumë tema me orë të tëra”, kishte thënë Selmanaj në Rubikon.
Përveç, Selmanajt edhe deputetët Agim Veliu e Avdullah Hoti nuk kanë marrë pjesë në votimin e Presidentit, përkundër se kanë qëndruar në sallë gjatë votimit.
Rrjedhimisht, për dy herë radhazi, ka dështuar në Kuvend votimi i rundit të parë për Presidentin.