Gjatë marsit, në disa kantone të Zvicrës do të mbahen zgjedhje legjislative në nivel kantonesh dhe komunash. Albinfo.ch ka identifikuar disa nga kandidatët me rrënjë shqiptare që garojnë në këto zgjedhje
Për rëndësinë që ka pjesëmarrja e komunitetit shqiptar në jetën politike në rrethin ku jeton, në Zvicër, është folur tashmë me të madhe. Albinfo.ch i ka kushtuar në vazhdimësi rëndësi meritore këtij segmenti të integrimit të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane.
Gjatë muajit mars, në disa kantone të Zvicrës do të mbahen zgjedhje legjislative në nivel kantonesh dhe komunash.
“Ethet” e votimit zviceranët do t`i ndiejnë fillimisht më 9 shkurt, ditë kjo që nuk është në kalendarin e zgjedhjeve. Por më 9 shkurt në nivel të Zvicrës, të disa kantoneve dhe komunave, do të zhvillohen referendume ku populli do të shprehet për iniciativa të ndryshme.
Ndërsa seria e zgjedhjeve fillon më 8 mars, kur mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit. Më 15 mars mbahen po ashtu zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit tjetër të Zvicrës lindore, atij të Thurgaut. Po ashtu më 15 mars mbahen zgjedhje për asambletë komunale në Kantonin e Gjenevës ndërsa më 28 mars qyteti i Lucernit mban zgjedhje për asamblenë e qytetit.
Shqiptarët, në vazhdimësi të njëfarë tradite, nëse mund të quhet e tillë pjesëmarrja në zgjedhje nivelesh të ndryshme në Zvicër, e shënuar këto 15 vitet e fundit, tregojnë një prani të theksuar, edhe në zgjedhjet që u përmendën më lart. Sigurisht, kjo periudhë është shënuar nga disa suksese dhe më shumë dështime ose mospërmbushje të pritjeve (mbase jorealiste…) të kandidatëve me rrënjë shqiptare në këto zgjedhje. Edhe për to është shkruar në albinfo.ch, shpesh e gjerësisht.
Disa anomali që kanë shoqëruar kandidimin e shqiptarëve
Janë përmendur anomali të ndryshme që kanë shoqëruar fushatat zgjedhore të kandidatëve shqiptarë, mungesa e përkrahjes nga vetë komuniteti, gjegjësisht pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve me shtetësi zvicerane në zgjedhjet zvicerane, si njëri ndër faktorët që e kanë kushtëzuar mungesën e theksuar të shqiptarëve në trupat legjislativë të niveleve të ndryshme në Zvicër. As sot, pas një serie kandidimesh që mund të quhen masive të shqiptarëve në të paktën tri palë zgjedhjet për Parlamentin Nacional, ende nuk ka një shqiptar në legjislativin e Zvicrës. Kjo, për një komunitet që thuhet se numëron të paktën 300 mijë njerëz, rreth 170 mijë prej tyre me pasaportë zvicerane, është një tregues jo i mirë i nivelit të tij të pjesëmarrjes në jetën politike.
Po ashtu duhet përmendur edhe tendencën e përfitimit nga kandidatët me prejardhje shqiptare, tendencë kjo që e kanë praktikuar jo rrallë edhe partitë e këtushme. Ato, duke llogaritur në potencialin e madh të shqiptarëve me të drejtë vote, kanë përdorur si karrem mjaft kandidatë me prejardhjen shqiptare. Ata janë futur në lista, pa pasur asnjë gjasë reale për të fituar. Por, nga ana tjetër, emrat e tyre shqiptarë kanë tërhequr mjaft pjesëtarë të komunitetit të tyre, të cilët, duke i votuar ata, kanë rritur numrin e votave të partive përkatëse, gjegjësisht kanë siguruar hyrjen në parlament të kandidatëve tjerë, të preferuar të atyre partive.
Për cilat parti garojnë shqiptarët
Gjithsesi, gjatë kësaj kohe në shumicën e madhe të rasteve ka pasur trajtim korrekt edhe të kandidatëve me prejardhje shqiptare. Këtë, fundja e tregojnë edhe emrat e nderuar të një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve në parlamentet e niveleve komunale dhe, ndonëse më pak edhe në ato kantonale, gjithandej në Zvicër.
Duhet thënë se, në kuadër të asaj tradite, ende të varfër, të zgjedhjes së kandidatëve me prejardhje shqiptare në legjislaturat e komunave dhe kantoneve, prijnë dukshëm kandidatët nga SP – Partia Socialdemokrate (ose Partia Socialiste, siç quhet në regjionin frankofon). Madje mund të thuhet se deri më tash janë fare pak përjashtime në këtë drejtim: Përparim Avdili, (FDP, Cyrih), Prend Berisha (CVP Wil) dhe Alban Imeri (Ishte zgjedhur si kandidat i BDP-së pastaj ka kaluar në SP, në Parlamentin e Kantonit të Thurgaut).
Në Kantonin e Cyrihut është po ashtu një shqiptare, e vetmja deri tani, dhe ajo nga SP, Qëndresa Sadriu.
Më tepër nga partitë tjera se nga SP/PS
Por, po t`u hidhet një sy listave të partive për zgjedhjet komunale dhe kantonale që mbahen gjatë marsit 2020, vihet re një risi. Pa paragjykuar rreth mungesës ose jo të shanseve të tyre, bie në sy se ka numër më të madh të kandidatëve me prejardhje shqiptare të partive tjera në krahasim me atë të SP-së. Kështu, në mesin e kandidatëve për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit janë të paktën 5 nga FDP. Bëhet fjalë për: Veton Alijin, Ardi Koxhaxhikun, Ilir Mustafën, Engjull Halimin dhe Vullnet Sadikun. Po ashtu në këtë kanton garojnë edhe dy kandidatë shqiptare nga CVP-ja: Edona Zeqiri dhe Valentina Munishi. Në garën për Parlamentin e Lucernit (qytetit) janë edhe dy shqiptarë nga CVP: boksieri i njohur Tefik (Teo) Bajrami dhe i riu Patrik Berisha, ndërsa nga FDP në këtë garë merr pjesë Artin Fuga.
Sa u përket emrave shqiptarë nga SP/PS në listat e garave aktuale shohim emrin e njohur, ish kandidat serioz edhe në garat federale, Arbër Bullakaj. Ai, duke qenë kryetar i degës së SP-së për Kantonin St.Gallen, garon për një vend në parlamentin e këtij Kantoni. Po ashtu nga kjo parti në këtë kanton i kanë hyrë garës edhe Ajete Maliqi dhe Dashnim Bektashi. Nga një parti e vogël, EVP, në këtë kanton kemi kandidatin Vebi Vejseli ndërsa në Kantonin Thurgau, garon për SP-në Xhemile Fetaji (Dzemile Fetaji). Po në këtë kanton kemi sërish kandidat Alban Imerin, i cili ka qenë në postin e deputetit edhe në mandatin e deritashëm, siç vu shkrua më lart, i zgjedhur fillimisht nga radhët e BDP-së por i kaluar pastaj në SP.
Po ashtu në Vernier, një komunë e Kantonit të Gjenevës, nga shënimet që ka arritur t`i sigurojë albinfo.ch garojnë dy shqiptarë për SP/PS: Ismet Mjaki dhe Rinor Metushi dhe një për PDC: Muharrem Ahmeti – Remo. Në të gjitha komunat e Kantonit të Gjenevës, 45 sosh, janë 24 kandidatë me prejardhje shqiptare që garojnë për një vend në asambletë përkatëse.
Në këto kantone dhe komuna ka zgjedhje gjatë marsit
Seria e zgjedhjeve fillon më 8 mars, kur mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit. Më 15 mars mbahen po ashtu zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit tjetër të Zvicrës lindore, atij të Thurgaut. Po ashtu më 15 mars mbahen zgjedhje për asambletë komunale në Kantonin e Gjenevës ndërsa më 28 mars qyteti i Lucernit mban zgjedhje për asamblenë e qytetit.