Plevneliev: Bullgaria nuk do ta bllokojë Maqedoninë e Veriut për në BE

Bullgaria nuk do të vendos veto dhe nuk do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Këtë e thotë ish presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev në intervistën për Televizionin 24, pas porosive me tone kërcënuese që këtyre ditëve i dërguan zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov dhe eurodeputeti Andrej Kovaçev.

“Unë mendoj se kjo nuk do të ndodh. Bullgaria gjithmonë ka mbështetur Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt prosperitetit të saj demokratik dhe evropian. Agjenda e Sofjes, kur Bullgaria ishte kryesuese me BE-në, hapi rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Bullgaria e para e pranoi Maqedoninë. Ne jemi popull vëllazëror. Disa politikanë mund të flasin se si të vendosin, por e vërteta është se Bullgaria është avokat i madh i fqinjëve, ne duam prosperitet, ndërsa ajo është e mundshme vetëm me hyrjen në BE”, tha Plevneliev.

Ai beson se Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me bllokadë nga Sofja në dhjetor, por shton se çështja me Goce Dellçevin patjetër të zgjidhet.
“Vetëm me analizë të duhur mund të shkelim në themele të forta dhe ta kthejmë lidhjen e afërsisë ekstreme, e cila në çdo rast ekziston në marrëdhëniet familjare të shumë njerëzve në të dy anët e kufirit”, tha Dimitrov.

Karakaçanov javën e kaluar tha se Maqedonia është e padrejtë ndaj Bullgarisë dhe se Sofja zyrtare mund ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, nëse Komisioni i përbashkët i historianëve nuk arrin marrëveshje. Pas deklaratës së Karakaçanovit, u deklarua edhe Andrej Kovaçev, eurodeputet dhe anëtar i partisë së kryeministrit Bojko Borisov.

Kovaçev tha se nga veprimet e Shkupit zyrtar, varet fillimi i negociatave me BE-në. Ai për Agjencinë bullgare të lajmeve BGNES deklaroi se në Maqedoni nuk ka dëshirë reale për progres, por vetëm përpjekje deklarative nga politikanët maqedonas.

Kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut në më shumë raste ka dalë me qëndrim se nuk pret që Bullgaria të bllokojë fillimin e negociatave me BE-në. Shkupi zyrtar pret që së shpejti të publikohet korniza negociuese, ndërsa konferenca ndërqeveritare për fillimin e negociatave aderuese me BE-në të ndodhë deri në fund të vitit.