Plazhet publike zaptohen nga privati

Sezoni i plazhit ka nisur në vend, por problematikat më të mëdha mbeten mungesa e hapësirave publike si dhe moszbatimi i VKM nr. 358, e cila përcakton qartë dispozitat që stacionet e plazhit duhet të përmbushin.

Fiks Fare ka zhvilluar një vëzhgim në disa plazhe të vendit. Në të gjitha rezulton se shkelen hapësirat publike si dhe një sërë rregullash të tjera të përcaktuara qartë me vendim qeverie. Operatorët, të cilët janë licencuar, nuk respektojnë distancat midis çadrave, hapësirat publike si dhe nuk krijojnë kushtet, si vendosjen e dusheve, kabinave të zhveshjeve, tualeteve dhe dhomës së dhënies së ndihmës së parë në raste problemesh shëndetësore.

Sërish edhe këtë vit mungojnë kullat e rojës, madje edhe në rastet kur ato janë vendosur, mungon roja bregdetare. Në Durrës, në zonën e Currilave dhe në Kallm mungojnë totalisht hapësirat publike. Operatorët turistikë të licencuar duhet të respektojnë disa dispozitat të VKM nr. 358 e cila përcakton kushtet. Në çdo 50 çadra duhet të ketë dy kabina zhveshjeje, dy tualete dhe një dhomë për ndihmën e parë mjekësore. Veç këtyre, distanca nga çadra në çadër duhet të jetë mbi 2,5 m, ndërsa nga brezi i parë i çadrave deri në bregun e detit distanca duhet të jetë më e madhe se 7,5 m.

Zonat publike mungojnë totalisht. Këtë fakt e dëshmojnë edhe pushuesit.”Ju e shihni edhe vetë këtu hapësira publike nuk ka më. Dikur ka patur, por sot është e pamundur të gjesh”, shprehet një qytetar. Një tjetër thotë se ka një jetë që vjen në këtë zonë, por tani është e pamundur të gjesh vend. “Unë vij këtu prej 30 vitesh dhe aktualisht kjo zonë nuk ka më hapësirë, është e pamundur të gjesh një vend publik”, u shpreh ai.

E njëjta situatë shihet edhe në zonën tjetër të plazhit të Durrësit. Nga Ura e Dajlanit deri në afërsi të Përroit të Agait, hapësirat publike janë shumë të pakta. Edhe pse VKM. 358 thotë qartë që 20% duhet të jetë hapësirë publike, dispozita nuk zbatohet.

Fiks Fare ju drejtua Prefekturës së Durrësit. Kjo e fundit ka ngritur një grup pune për të monitoruar situatën në plazhe. Prefekti Roland Nasto u shpreh se në të gjitha rastet ku hapësirat publike janë zënë nga operatorët privatë do të merren masa deri në heqjen e licencave.

“Ne kemi inspektuar dhe rezulton që ka prekje të hapësirave publike. Ne do të ndërhyjmë dhe do të gjobisim, madje do të shkojmë deri në heqjen e licencave. Ndërsa, përsa i përket kullave të rojës, duhet të merren menjëherë masa për të shtuar numrin e tyre si dhe për të vendosur rojet bregdetare”, tha Nasto.

Fiks Fare ka bërë të njëjtin vëzhgim edhe në Shëngjin e Velipojë. Në Velipojë ndryshe nga Durrësi operatorët (stacionet e plazhit) kanë respektuar distancat, por plazhe publike nuk ka. Problem në këtë zonë turistike mbeten rrugët e brendshme të cilat të çojnë drejt plazhit, infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar. Gjithashtu, ajo që vihet re përgjatë gjithë vijës bregdetare është se ka vetëm dy kulla vrojtimi, por edhe tek këto mungon roja bregdetare.

Turistët gjithashtu shprehen të shqetësuar për praninë e mushkonjave .”Mushkonjat janë shumë problem, nuk flemë dot natën, tmerr”, shprehet një turist. Të njëjtën gjë thonë edhe shumë të tjerë.

Kryetari i Njësisë Administrative Velipojë, Altin Kaçi u shpreh për Fiks Fare se hapësirat publike të zëna do të lirohen, ndërsa për sa i përket rojeve bregdetare problemi mbetet të zgjidhet nga vetë subjektet ose nga Bashkia e Shkodrës. “Hapësirat publike të zëna do të lirohen menjëherë pasi të miratohen lejet e shfrytëzimit. Ne do të raportojmë në polici për të gjitha ato subjekte që shkelin këto hapësira. Përsa i përket rojeve bregdetare është problem, por ju takon subjekteve të marrin masa ose Bashkia e Shkodrës të ndërmarrë nismë”, u shpreh Kaçi.

Në plazhin e Shëngjinit hapësirat publike janë zënë totalisht. Gjithashtu ka mungesë tualetesh si dhe nuk respektohen distancat nga brezi i parë i çadrave tek bregu i detit, shezllonet janë ngjitur me bregun pothuajse. “Banjo këtu nuk ka dhe as hapësira publike”, thotë një turiste.

Të tjerë thonë që kushtet duhet të ishin edhe më mirë, megjithatë ata sërish e kanë zgjedhur Shëngjinin si destinacion veror. “Duhet të kishte më shumë kushte sigurisht, por ne vijmë çdo vit”, u shpreh një turiste nga Kosova.

Shefi i turizmit në Njësinë Administrative Shëngjin, Gjovalin Maklaj shpjegon se problem mbeten rojet e vrojtimit, të cilët në bazë të vendimit të qeverisë duhet të merren nga subjektet. Sipas tij, kjo nuk është zbatuar. Ndërsa, përsa i përket hapësirave publike, Maklaj shpjegon se do të shtohen në vazhdim. “Po mundohemi të zgjerojmë hapësirat publike dhe në ato vende që ka shkelje kemi raportuar. Megjithatë, unë mendoj se problem mbeten rojet e vrojtimit, pasi VKM nuk është zbatuar”, u shpreh Maklaj.