Platformat në Matkë, Bexheti pranon se janë të jashtëligjshme


“Jam kundër legalizimit të tri platformave në Matkë, por nuk do t’i rrënoj ato deri sa nuk mbaron afati i ankesave të ndërtuesve ilegal në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve”, kështu e nisi takimin me gazetarët kryetari i Komunës së Sarajit. Blerim Bexheti thotë se në këtë fazë do t’i refuzoj kërkesat për legalizim, por nuk do të ndërmerr masa sepse druan që do të paditet nga ana e ndërtuesve ilegal. Ai mohon të ketë qenë në dijeni se aty janë ndërtuar dy platforma të reja, deri në momentin kur i kanë arritur dokumentet për legalizimin e tyre.

Kur të thotë ligji, atëherë do t’i rrënoj platformat sipas procedurave ligjore. Unë duhet të jem i kujdesshëm që nesër të mos paditet komuna dhe të ketë pasoja tjera. Shërbimet e mia më informuan se në dy platformat, kur u ngrit kjo çështje, kishte proces të ndërrimit të dërrasave, kështu që më duhet të veproj sipas ligjit dhe jo të paragjykoj me një fjalë- deklaroi Blerim Bexheti, Kryerat i Komunës së Sarajit.

Bexheti thotë se më 18 shkurt Inspektorati i Qytetit të Shkupit ka konstatuar një raport, pa u konsultuar me ta, edhe pse thotë se Komuna ka kompetenca të plota mbi Kanionin e Matkës. Ai thotë se me Shilegovin nuk kanë arritur të dakordohen për krijimin e një Ndërmarrje të përbashkët publike, e cila do të menaxhonte vetëm me Matkën.

Për fat të keq, më tha se pa pëlqimin tim do të formojnë Ndërmarrje publike, por un deklarova se le ta harrojnë atë ide. Unë iu bëj thirrje të gjitha institucioneve, se nuk mundet as Qyteti i Shkupit e as Petre kokë me vete të merr kompetencat dhe të veproj kundër ligjeve të shtetit- theksoi Blerim Bexheti, Kryerat i Komunës së Sarajit.

Dje Komisioni Anti-Korrupsionit hapi lëndën për të hetuar se cilat nga institucionet relevante nuk ka zbatuar ligjin lidhur me ndërtimi e këtyre platformave dhe se kush saktësisht ka kompetencë për të ndërmarr masa. Kurse, sot ministri Sugarevski tha se për momentin nga ana e Ministrisë dhe Qeverisë është propozuar Ligji për planifikimin urbanistik, i cili është në Kuvend dhe se do të zgjidhë shumë probleme.

Si ministër dhe person nuk do të pajtohem që institucionet shtetërore apo lokale nuk marrin masa. Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do t’u kërkoj përgjigje të qartë se deri ku ka arritur procedura për vërtetimin e përgjegjësive dhe parregullsive dhe do të njoftoj Qeverinë dhe opinionin së shpejti- deklaroi Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Platforma e parë ilegale e ndërtuar para 10 viteve afër Manastirit “Shën Andreu”, e shndërruar në tarracë të restorantit, është në pronësi të Federatës së Sporteve Malore, e cila ka hasur në kritika edhe të Kishës Ortodokse Maqedonase. Platforma e dytë me bazë betoni, ku aktualisht shfrytëzohet për ankorimin e barkave kërkesë legalizimi vjet në dhjetor e ka bërë Ismail Saidi, kurse në muajin Shkurt kërkoi legalizim edhe Amed Saidi për platformën e tretën, e cila filloi të ndërtohet në vjeshtë.