‘Planifikonte të krijonte kaos’ – Aleksandar Vuçiq nuk lejohet të hyjë në Kroaci

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është lejuar të futet në Kroaci. Siç raporton agjencia kroate e lajmeve, Index, Vuçiq kishte planifikuar ta vizitonte sot Jasenovacin dhe Pakracin, por autoritetet kroate nuk e lejuan. Qeveria kroate thotë se presidenti serb planifikonte të krijonte kaos në Koraci, shkruan Jutarnji list.

Vuçiq, sipas burimeve nga qeveria e Plenkoviqit, kishte kontaktuar me kryetarin e partisë serbe, SDSS, Milorad Pupovac të cilit i kishte treguar se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, në zonën përkujtimore ku ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.

Ai e kishte ftuar Pupovacin që t’i bashkohej dhe kishte thënë se, nëse e konsideronte të nevojshme, do ta informonte qeverinë kroate për vizitën e tij, gjë që e bëri Pupovac dhe qeveria kroate, siç shkruan Jutarnji, u trondit nga mënyra se si presidenti serb kishte planifikuar të krijonte kaos në Kroaci.

Pa njoftim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq kishte dashur ta kalonte kufirin nga Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska dhe të mbërrinte në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.