Plani rus për Kosovën, të marr Trepçën dhe të ndajë Kosovën


Edhe Rusia po kërkon të marrë pjesë në dialogun Kosovë – Serbi, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen pjesë e saj.

Është Konstantin Kossatschoë, kryetari Këshillit për Politikë të Jashtme i Federatës ruse, i cili ka thënë se nuk kanë njohuri se çka ka ndodhur në Samitin e Berlinit dhe as çka do të ndodhë në Paris më 1 korrik. Mirëpo, Kossatschoë ka thënë se nëse SHBA bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi të njëjtën do ta kërkojë edhe Moska.

“Rusia kurrë s’ka refuzuar të marrë pjesë në dialog. Ne kemi shumë pyetje lidhur me iniciativën e fundit për takimin në Berlin më 29 prill. Ne s’e dimë pse është mbajtur ai takim dhe pse është thirrur tjetri në Paris. Kosova po kërkon që në dialog të jetë SHBA. Ndoshta kjo është e arsyeshme, por në këtë rast duhet të përfshihet edhe Rusia”, ka thënë Kossatschoë.

Mirëpo, menjëherë një reagim i fuqishëm ka ardhur nga Berlini, ku këta të fundit i kanë rikujtuar Moskës zyrtare se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Kështu ka thënë një burim zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë i pyetur rreth gatishmërisë së Rusisë për t’u përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd nëse një gjë e tillë i kërkohet nga Serbia.

Për një qëndrim të tillë të Moskës kanë folur edhe nga zyra e emisarit të Trumpit të cilët kanë thënë se “ kushdo që mund të kontribuojë me ide që ndihmojnë stabilitetin, paqen dhe të ardhmen e Kosovës e Serbisë është i mirëseardhur”.

Dick Custin, zëdhënësi i të dërguarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se “të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar me ide, që do të ndihmonin stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e Serbisë dhe Kosovës”.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, se zgjidhja përfundimtare për Kosovën duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke miratuar një rezolutë të re që do të zëvendësonte Rezolutën 1244.

Rreth kërkesës së fundit të Rusisë, njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se kërkesa e këtij shteti për futje në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është e drejtë dhe nuk është e arsyeshme.

Sipas tyre, Rusia është duke synuar që të përfshihet në këto bisedime, pasi po mundohet të ketë qasje në të gjitha zhvillimet politike, me shpresën se mund të përfitojë diçka, respektivisht nga ndarja e Kosovës.

Tahiri: Rusia që nga fillimi ka një qëndrim anti Kosovë

Politologu Ramush Tahiri, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se kërkesa për futjen e Rusisë në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është e drejtë dhe nuk është e arsyeshme dhe nuk i kontribuon zgjidhjes së drejtë të çështjes dhe as suksesit të bisedimeve.

“Rusia që nga fillimi ka një qëndrim anti Kosovë, anti shtet, atni pavarësi. Rusia që nga fillimi është në mbrojtje të Serbisë përkatësisht më herët të Jugosllavisë dhe është kundër të drejtave themelore të shqiptarëve si komb dhe të popullsisë shumicë shqiptare në Kosovë. Rusia është që nga fillimi kundër pavarësimit të Kosovës, kundër daljes nga Kushtetuta e Serbisë në të cilën u futë më 23 mars të vitit 1989 padrejtësisht e kundër vullnetit të popullit dhe kundër debatit kushtetues me qytetarë”, ka thënë Tahiri, për gazetën “Bota sot”.

Me tej ai tha se Rusia ka një synim që të futet në Ballkan për detin Adriatik dhe për ndihmën e vëllait të madh rus.

“Rusia nëpërmjet Serbisë po donë të futet në Ballkan në gjeopolitikën dhe gjeostrategjikë e saj të njohur për detin Adriatik dhe për ndihmën e vëllait të madh rus për popujt sllav të Gadishullit Ilirik. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik Rusia krijoi një lidhje Euroaziatike me disa nga ish republikat e tani shtetet satelite të saj, dhe futja e saj në terrenin e Ballkanit ku pas dështimit në Maqedoni dhe në Mal të Zi një derë i ka mbetur të Serbia me problemin si thotë ajo të pazgjidhur të Kosovës e cila duhet të zgjidhet me një rezolutë të re të KS të OKB me të cilën zëvendësohet Rezoluta 1244 e vitit 1999”, tha ai.

Politologu Tahiri shpjegon gjithashtu se Rusia nuk e mësheh se kjo rezolutë e re do të parashihte heqjen e mbikëqyrjes e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë, dhe si thotë ajo kthimin e një lloj sovraniteti të Serbisë në Kosovë me një autonomi substanciale të autonomisë për pakicën shqiptare në Kosovë.

“Është e habitshme që edhe në publicistikën shqiptare ka ide që pavarësia e Kosovës dhe pranimi i saj në OKB duhet të bëhet me një rezolutë të re në KS të KB, gjë që fletë për mosdije ose për manipulim edhe ndoshta të pavetëdijshëm në atë që thonë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës patjetër duhet të marrin pjesë si palë në bisedimet si e quajnë gabimisht dialogun ndërshtetëror ndërmjet Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, e në këtë bazë nuk e shohin të huaj edhe një pjesëmarrje të Rusisë me një arsyetim se pa heqjen e vetos të Rusisë, Kosova nuk mund të bëhet asnjëherë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Populli thotë mendje e vogël për politikë të madhe, por që mund të prodhojë pasoja afatgjata”, shprehet politologu.

Ai konsideron se dialogu Kosovë – Serbi duhet të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, edhe teknik edhe politik e edhe marrëveshja për njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike, ndërsa, sipas tij, roli i SHBA-së gjithmonë është i pazëvendësueshëm ashtu si edhe deri tash, ndërsa ndikimi dhe pjesëmarrja e saj përcaktohet nga vet ajo dhe jo nga ne.

“Gjithashtu konsideroj se gjendja në marrëdhëniet Kosovë e Serbi nuk është e padurueshme e as që po shkon drejtë përkeqësimit dhe nëse nuk kemi zgjidhje më të mirë askush nuk ka të drejtë të ofrojë zgjidhje me të keqe ose që na kthen prapa, dhe e fut Kosovën në arenën e agjendën ndërkombëtare si një çështje të pazgjidhur, sepse me administrimin ndërkombëtar, me standardet përpara statusit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, me mendimin e Gjykatës ndërkombëtare çështja e definimit të Kosovës të statusit të saj ka përfunduar e ajo çka mbetet është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe e gjithë kjo do të bëhej më mirë pa pjesëmarrjen e Rusisë në çfarëdo bisedimesh, përderisa ky shtet nuk e pranon realitetin e krijuar dhe përderisa Rusia nuk e pranon shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj si vullnet i lirë i popullit të Kosovës”, ka theksuar politologu i njohur, Ramush Tahiri