Pothuajse të gjithë e keni dëgjuar që ekziston një legjendë për shiun dhe motin e keq në javën e fundit të muajit Mars dhe javën e parë të Prillit. Kjo periudhë njihet si “Plakat e Prillit” për shkak të një legjende.
Por si është legjenda e “Plakave të prillit”?
Këtë mit disa prej jush mund ta kenë dëgjuar nga prindërit apo gjyshërit, por ndoshta e keni fshirë nga kujtesa.
Sipas gojëdhënave shqiptare, një plakë shkoi në mal për të kullotur bagëtitë dhe duke parë motin e ngrohtë e me diell tha: “Tani unë do t’i kullos për qejf bagëtitë. Lamtumirë dimër, shkofsh në djall”.
Në këtë moment, prilli (ose marsi) tha: “Shkurt o im vëlla, më jep tri ditë hua ta ngrij plakën”.
Menjëherë pas kësaj, legjenda thotë se u bë aq ftohtë saqë plaka ngriu me gjithë bagëtitë në mal, duke u kthyer në shkëmb.
Mali i Tomorrit është vendi ku plakat u ngrinë me bagëtitë, ndërsa sipas gojëdhënave në atë vend sot gjendet një gur në formën e një plake, ku edhe sot e kësaj dite buron ujë, që thuhet se janë “lotët e plakës”.
Kjo gojëdhënë është e njohur thuajse në gjithë Ballkanin, por siç ndodh me legjendat, ajo vjen në versione të ndryshme.
Në ditët e sotme qarkullojnë edhe dy versione të tjera të legjendës:
Versioni 1
“Plakat e prillit” janë shtatë. Shtatë plaka morën leshin e bagëtisë dhe dolën në një lëndinë për ta tjerrë.
Duke biseduar me njëra-tjetrën, njëra nga plakat i ngriti këngë muajit mars duke i thënë se tani dimrit ia hodhi dhe marsi i merrte të keqen.
Këngën e kënduan të gjitha plakat me radhë. Marsi i dëgjoi dhe i ngriu të shtata.
Versioni 2
Nga zona e Veriut thonë se mullizeza (lloj shpendi) çeli zogjtë që në mars. E lumtur nga koha e ngrohtë, ajo filloi ta shante marsin:
“Mullizeza zogjtë i çeli,
na marsh të keqen mars kaçeli”…
Këtë muaji mars e ngriu me gjithë zogj në fole.
Numri i mullizezës më zogjtë e saj është shtatë, që korrespondon me numrin e plakave. Kjo tregon për një binjakëzim të gojëdhënës, lidhur dhe me ngjyrën e veshjes së plakave dhe të pendëve të zogut.
Sidoqoftë, në 3-7 ditë të prillit kthehet dimri, i cili sjellë reshje shiu thuajse në të gjithë vendin dhe pas tyre vjen pranvera e vërtetë.