Pjesa më e madhe e të infektuarve që kthehen në Gjermani janë nga Kosova

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin kumtoi se, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti “Robert Koh”, pjesa më e madhe e të infektuarve me Kovid-19, që hyjnë në Gjermani, janë persona që kthehen nga Kosova.

Në njoftimin në faqen e saj në Fejsbuk, misioni diplomatik i Kosovës në Gjermani u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë në atë vend, të mos i kalojnë pushimet vjetore në atdhe, të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për distancë, mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e higjienës.

“Ju lutemi, sa po të ktheheni në Gjermani nga pushimet, ndiqni udhëzimet e Ministrisë Federale të Shëndetësisë për testimin në aeroporte, dhe nëse udhëtoni me automjet ose autobus, kontaktoni shërbimet shëndetësore në zonën tuaj dhe të testoheni”, thuhet në njoftimin.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri është rritur kohët e fundit në Kosovë. Rreth 200 raste regjistrohen për çdo ditë, ndërsa sipas të dhënave të fundit zyrtare, të publikuara dje, në këtë moment ka mbi 3.300 bartës aktivë të virusit në vend./MIA