Pjesa e jashtme e teatrit të ri dhe bibliotekës në Tetovë gati deri në fund të vitit


 Inspektim  në gjendjet me ndërtimin e objektit të ri më shumë funksional të teatrit dhe bibliotekës në Tetovë ishte qëllimi i vizitës së sotme të ministrit të Kulturës, Asaf Ademi.

Ai potencoi se kjo është vizita sipas planit për këtë vit, që parashikon vizitë të të gjitha objekteve që janë investime të kapitalit nga fusha e Ministrisë së Kulturës.

“Ky objekt më shumë funksional që përveç teatrit dhe bibliotekës parashikon edhe sallë të kinemasë dhe parking nëntokësor, filloi të ndërtohet në vitin 2014, megjithatë për shkak të punëve juridike pronësore ishte në ngecje deri në vitin 2016. Prej atëherë në mënyrë aktive punohet në ndërtimin e tij dhe tani nga ana e investitorit, Qendra  për kulturë ‘Ilo Anteski Smok’ në Tetovë ishim të informuar se nevojitet  ndryshim i projektit bazë sipas kërkesave të caktuara arkitektonike, për çka ka pajtim si nga investitori ashtu edhe nga  bordi inspektues”, theksoi ministri i Kulturës.

Ai shtoi se për shkak të kësaj ka edhe aneks marrëveshje të re, sipas së cilës objekti deri në karabinë dhe tërësisht i mbyllur me dritare, dyer dhe të tjera, si dhe fasadë do të jetë gati deri në fund të këtij viti.

“Sipas marrëveshjes bazë, vlera e këtij objekti ishte vlerësuar në 13,5 milionë euro”, shtoi ministri Ademi.

Ai potencoi se pas përfundimit të pjesës së jashtme, pret që vitin e ardhshëm  të shpallet edhe thirrja  për rregullim të brendshëm të këtij objekti,  por siç tha, ajo do të kërkojë financim shumëvjeçar  që në fund të jetë  një nga objektet më bashkëkohorë të destinuar për nevojat e kulturës në vend.

Lidhur me gjendjet me Qendrën ekzistuese të Kulturës “Ilo Anteski Smok” në Tetovë, ministri Ademi tha se sipas buxhetit për këtë vit nuk janë parashikuar mjete për investime në rindërtim ose ngjashëm, por në bazë të kërkesës së dorëzuar eventuale nga ana e  drejtorisë së Qendrës, kjo do të bëhet për vitin e ardhshëm.