Pisonero: Ndërtimi i rrethojës mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është pjesë e marrëveshjes me BE-në

Bashkimi Evropian mohon se ndërtimi i rrethojës me tela në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut është pjesë e marrëveshjes me Beogradin.
Zëdhënësja e Komisionit evropian, Ana Pisonero deklaroi se Brukseli u jep ndihmë të konsiderueshme financiare dhe teknike partnerëve nga Ballkani Perëndimor kur bëhet fjalë për menaxhimin me migracionet, ndërsa për atë qëllim në vitin 2015 ndau mbi 100 milionë euro për Serbinë.

“Megjithatë, ai financim nuk përfshin ndërtim të rrethojave, të cilat, siç ishte kumtuar gabimisht, nuk janë pjesë e asnjë marrëveshje me BE-në”, theksoi Pisonero.
Radio Evropa e Lirë para disa ditëve kumtoi se Serbia ka filluar të vendosë rrethojë me tela në kufirin me Maqedoninë e Veriut në afërsi të Preshevës, që duhet të parandalojë kalime të mundshme ilegale masive.

Shqipërim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, për REL deklaroi se ndërtimi i rrethojës me tela është pjesë e marrëveshjes me BE-në.
“Mendojmë se rrethoja është në funksion të sigurimit shtesë të kufijve të vendeve jashtë BE-së nga refugjatët, të cilët eventualisht sërish do të niseshin masivisht nëpër të ashtuquajturën Rutë ballkanike”, tha Arifi.
Autoritetet lokale në Preshevë informojnë se rrethoja duhet të jetë e gjatë 147 kilometra dhe se sipas paralajmërimeve të autoriteteve në Beograd, një barrierë e tillë do të vendoset edhe në kufirin me Bullgarinë.

Qeveria serbe tani për tani nuk është deklaruar zyrtarisht për vendosjen e rrethojës në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq pohojnë se vendosja e rrethojës me tel është në territorin e Republikës së Serbisë, jo edhe në territorin e vendit tonë.
Nga MPB, për më shumë informata rreth kësaj çështje udhëzojnë drejt Ambasadës së Republikës së Serbisë në Shkup.