Piktura me kripë dhe bojëra uji nga një artist sirian

Në Kilis të Turqisë tërheqin vëmendje pikturat e artistit sirian, Husam Teljibini i cili pikturon me lloje të ndryshme të bojërave si dhe me kripë.
Artisti 33-vjeçar, Teljibini i cili erdhi në Kilis para 8 vitesh nga qyteti sirian Azez siguron jetesën me paratë që fiton me shitjen e pikturave të tij.
Ai hapi 12 ekspozita të pikturës në Stamboll, Gaziantep dhe Kilis me piktorë turq dhe sirianë me pikturat e tij me laps të zi, vaj, akrilik dhe me bojëra uji.

Teljibini gjithashtu është vullnetar si mësues për fëmijët që janë të interesuar të pikturojnë.
Teljibini thekson se ishte i interesuar për pikturë që në moshën 15-vjeçare ndërsa diplomua në Departamentin e Dizajnit të Brendshëm dhe Dekorimit në Fakultetin e Arteve të Bukura në Siri.
Ai tregon se kripa e derdhur në tryezë në restorantin ku kishte shkuar për të darkuar me miqtë e tij para dy vitesh në Kilis i dha një ide tjetër për të pikturuar.

“Unë kisha një letër në dorë. U përpoqa të bëja diçka nga kripa e derdhur. Pastaj studentët e mi ishin shumë të gëzuar kur ua paraqita këtë ide. Pasi vendosëm letrat e sfondit të zi në tryezë, ne përpiqemi të bëjmë diçka me një copë të vogël prej letre duke spërkatur kripën e tryezës. Meqenëse sfondi është i zi, del një pamje shumë e bukur me kripë, por fatkeqësisht këto punime nuk janë të qëndrueshme. Ne vetëm i fotografojmë pikturat që i bëjmë. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i ekspozojmë veprat tona”, tha Teljibini.