Spitali modular në Shkup i është vënë dryni. Kjo për shkak se një pjesë e çatisë ka nisur të pikojë.
“Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut para disa ditëve, një pjesë e çatise së spitalit modular këtu në Shkup është prishur, ndërkaq fatmirësisht nuk ka pasur asnjë pacientë brenda”.
Megjithatë arsye tjetër e mbylljes së modularit, siç shpjegojnë nga Klinika Infektive, është edhe ulja e numrit të të hospitalizuarve.
Spitali modular aktualisht po dezinfektohet dhe po kryhen procedura standarde për mirëmbajtjen e tij informuan nga atje.
“Në spitalin modular nuk ka pasur asnjë aksident, pasi as nuk ka ndodhur ndonjë përmbytje në spital, as uji nuk ka qenë në kontakt me energjinë elektrike. Në një vend u paraqit një sasi e vogël e pikave të ujit, por në asnjë moment nuk ishin në kontakt me energjinë elektrike. Spitali modular është një repart infektiv ndihmës, ndërsa që nga fillimi i funksionimit të tij është hapur dhe mbyllur tri herë në përputhje me nevojat për trajtimin e pacientëve”, thanë nga Klinika Infektive.
Shtojnë se Klinika për Sëmundje Infektive spitalin modular e vë në funksion kur plotësohet kapaciteti i Klinikës dhe spitaleve të tjera Kovid në qytet. Gjithashtu për shkak të zvogëlimit të numrit të të hospitalizuarve në periudhën e kaluar, janë mbyllur edhe qendrat e tjera kovid në kuadër të Qendrës Klinike në Shkup si dhe në të gjithë vendin, për të kursyer burimet dhe personelin.