“Pfizer” nuk na shet vaksina! Kush e thotë të vërtetën, Pendarovski ose Zaevi dhe Filipçe?!

Maqedonia e Veriut nuk mund të blejë vaksina nga kompania amerikane farmaceutike“Pfizer” dhe partneri i saj gjerman “Biontech”. Kjo vaksinë është rreth 95% efikase ndaj virusit korona dhe variantit Britanik, prandaj kërkesa në treg është e lartë, saqë kjo kompani nuk pranon që të bashkëpunojë me shtete që kanë më pak se dy milionë banorë. Kështu i kanë thënë nga Pfizer autoriteteve maqedonase gjatë një bisede telefonike që kanë zhvilluar përpara Vitit të Ri, tha presidenti i shtetit Stevo Pendarovski për TV21.

“Para Vitit të Ri, po e them shkurt, kur drejtpërdrejt u drejtuam në selinë e korporatës në Boston, na u tha përafërisht… Na pyetën se cila është madhësia e tregut potencial, konsumatorëve potencial. Kur u thamë se në total sipas regjistrimit të vjetër jemi 2 milionë banorë, prej tyre kaq jemi të mitur e kaq të rritur, herë dy si shkon tani sa i përket asaj vaksine konkretisht. Biseda përfundoi shpejt, sepse na thanë se në këtë moment kanë kërkesa marramendëse nga shtete me miliarda konsumatorë. Në këtë moment politika e kompanisë kur ne biseduam, përpara Vitit të Ri, kishim një bisedë të nivelit të lartë menaxherial, nuk është që të bisedojmë me shtete që kanë më pak se dy milionë banorë”, theksoi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe kryeministri Zoran Zaev, vazhdimisht po përsërisin se kanë arritur të merren vesh edhe me “Fajzer-in” dhe se vendi është në pritje të vaksinave të kësaj kompanie. Po, tani parashtrohet pyetja, në qoftë se nga kompania kanë thënë se nuk do t’u shesin vaksina shteteve me më pak se 2 milionë banorë, atëherë pse Qeveria në fillim të janarit në ueb-faqen e saj publikoi lajm se nga “Fajzer-i” do të mbërrijnë 800.000 vaksina të siguruara përmes komunikimit të drejtpërdrejtë të Filipçes me kompaninë. Premtuan se deri në fund të shkurtit do të mbërrijnë rreth 5 mijë vaksina, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Sipas paralajmërimit, vaksinat e para të Pfizer duhet të arrijnë në muajin shkurt dhe tani në mënyrë më intensive po i shqyrtojmë mundësitë për blerjen e vaksinës kineze. Pse? Jemi të vetëdijshëm, kompania Pfizer është kompania e parë që i fitoi dokumentet e para nga trupat rregullatorë, por megjithatë nuk mund të arrijë të dorëzojë sasitë e kërkuara në gjithë vendet e botës”, potencoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë (26.01.2021).

Kishte premtim edhe për 200.000 vaksina kineze, por edhe këtu doli problem.
Gazeta italiane “La Verita” publikoi dy letra nga ministri Venko Filipçe, që ishin adresuar deri te kompania kineze “Sinofarm”, e që sipas gazetës, kanë shkuar përmes kompanisë “Starbi Interneshënall” në Hong Kong, kompani kjo e cila nuk ka portofol as mjekësor, e as farmaceutik. Ministri i Shëndetësisë i hedh poshtë akuzat për parregullsi gjatë furnizimit të vaksinave nga Kina.

“Marrëveshja nga Pfizer arriti, në tremujorin e parë kah fundi i marsit do t’i marrim ato 21 mijë vaksina nga Pfizer. Në tremujorin e dytë do të kemi doza më të mëdha”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Përndryshe Serbia ka paralajmëruar se nga 15 tetori do të prodhojnë vetë vaksinën Sinofarm, e sa i përket rajonit, përveç Maqedonisë me vaksina ka problem edhe Kosova, e cila ende nuk ka arritur të sigurojë. Maqedonia e Veriut deri tani ka arriut të blejë vetëm 3 mijë vaksina Sputnik V nga Rusia, me të cilat po imunizohet stafi shëndtësor.