Petrovska: “Shkëmbimi i informacioneve me NATO-n është i sigurt”

Moska zyrtare e cilësoi dëbimin e pesë diplomatëve rusë nga vendi si “hap armiqësor”. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova komentoi se Shkupi po vazhdon kursin e tij drejt prishjes së shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe dhe sakrifikon sovranitetin e vet.

Pesë diplomatë u shpallën të padëshiruar dhe kanë pesë ditë kohë për t’u larguar nga vendi. Vendimi është marrë për shkak të shkeljes së Konventës së Vjenës, por Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë detaje të tjera. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarit, tha se MPJ vendimin e ka marrë në bazë të informacioneve nga shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës.

“Shkëmbimi i informacioneve që marrim dhe që kthejmë përmes sistemit të komunikimit të kanalit të NATO-s është i sigurt. Bëhet fjalë pë sistem që menaxhohet dhe operohet nga strukturat e NATO-s”, tha Sllavjanka Petrovska – Ministre e Mbrojtjes.