Petrovska: Qytetarët patjetër të marrin pasaporta, ministri nëse nuk di të kërkojë këshillë

Ministri i Punëve të Brendshme është ai që duhet ta zgjidh problemin me pasaportat, e nëse ai nuk di duhet të kërkojë këshillë, deklaroi për mediat në pyetjen e gazetarëve zëvendësministrja plotësuese e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska gjatë vizitës së sotme në SPB Tetovë.

“Më vjen keq që ministri nuk dëshiron t’i paraqesë të gjitha provat, ai është ministër jo të bëjë ankesa, por t’i zgjidhë problemet e qytetarëve. Nëse ai nuk di se si, le të kërkojë këshilla ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Shërbimet tashmë e kanë informuar se mund të paraqitet problem me lëshimin e pasaportave. Ne i bëmë thirrje ministrit sa më shpejt që të jetë e mundur të marrë një vendim në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve”, tha Petrovska.

Ajo theksoi se edhe pse është një periudhë zgjedhore, e drejta legjitime e qytetarëve për të pasur pasaportat e tyre nuk duhet të shkelet.

“Ne nuk guxojmë t’ua shkurtojmë të drejtën e tyre në asnjë rast, unë pres nga ai një reagim të shpejtë dhe përgjigje për ta kapërcyer këtë problem. Sa i përket letërnjoftimeve, ato lëshohen rregullisht dhe pa ndërprerje. Përgjegjësi duhet të ketë sepse lëshimi i pasaportave për qytetarët duhet të jetë dhe është një nga përgjegjësitë e kësaj ministrie. Unë apeloj të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ministri e ka këtë si autorizim. Në vend që të merremi me disa çështje të vogla, duhet t’ju dalim në ndihmë kërkesave të qytetarëve”, tha Petrovska.