Petrovska: Çulevi avancoi 3 policë të dyshuar në “Tortura” dhe “Titanik”

Tre ish pjesëtarët e njësitit Alfa, të avancuar në Njësitin e ndërhyrjes policore janë të dyshuar si të përfshirë në rastin Tortura dhe Titanik. Policët Petar Milloshevski dhe Jovan Gocevski të dyshuar për torturimin e Lube Boshkovskit dhe polici Dragçe Dravçevski i dyshuar për manipulime zgjedhore, ishin në mesin e 89 policëve të shpërndarë nga Ministri i Brendshëm teknik Naqe Çulev. Kjo, sipas Zëvendësministres plotësuese në MPB ishte një arsye shtesë që nuk i nënshkroi vendimet, të cilat edhe u anuluan me vendim të Qeverisë, të firmosura nga Kryeministri teknik Oliver Spasovski.

Vlerësimi im është që punonjës të tillë, të cilët janë nën akuzë që kanë bërë keqpërdorim të detyrës, kanë vepruar kundër ligjit dhe kanë kryer vepra penale, nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë pjesë e këtyre njësive speciale. Me këto vendime nuk u bë shpërndarja horizontale, por në kundërshtim me Ligjin e MPB-së dhe Ligjin e Qeverisë, disa nga të punësuarit janë avancuar dhe janë shkarkuar – deklaroi Sllavjanka Petrovska, Zv/Ministre plotësuese në MPB.

Petrovska tha se vendimi i Qeverisë është i plotfuqishëm krahas një telegrami të Çulevit për të zbatuar urdhrat e tij. Ndërkaq, anulime të reja të Qeverisë janë bërë edhe ndaj vendimeve të miratuara nga Rashella Mizrahi. Ministrja teknike e Punës dhe Politikës Sociale nga 21 deri në 31 janar, pati dhënë vendime dhe autorizime të nënshkrimit, si dhe vendime për pagesa dhe shpërndarje. Ajo tha se njëherë duhet të shqyrtohen keqpërdorimet e bëra nga Milla Carovska para dy vitesh.

I bëj thirrje Prokurorisë Publike që të hap lëndë sipas denoncimit, duke hetuar rastin dhe punën e paligjshme të Presidentes së atëhershëm të Këshillit Ekonomik dhe Social Mila Carovska dhe të veprojë në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë – u shpreh Rashella Mizrahi, Ministre Teknike e Punës dhe Politikës Sociale.

Ndërkohë Mizrahi sërish gazetarëve iu drejtua përpara tabelës ku nuk figuron emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut, duke mos respektuar marrëveshjen e Prespës e as Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Mizrahi tha se është e gatshme që të paguaj 5 mijë euro gjobë, por nuk do ta ndërrojë tabelën. Mizrahi dhe Çulev janë pjesë e Qeverisë si propozim i opozitares VMRO DPMNE, si pjesë e qeverisë teknike që nga 3 janari deri në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.