Petritsch: BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun Kosovë-Serbi

Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë zyrtarët në Kosovë dhe Serbi duhet të çarmatosen verbalisht ashtu që të shtensionohet situata e krijuar në veri të Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch, ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe ish-përfaqësues i Lartë për Bosnjë e Hercegovinën, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mençur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun që e ndërmjetëson mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky shembull tregon sesi zvarritja e procesit nuk funksionon. Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, pasi serbët lokalë kanë hequr barrikadat në veri të Kosovës. Misioni i NATO-s, KFOR e ka konsideruar situatën të tensionuar. Si i keni parë gjithë këto zhvillime?

Wolfgang Petritsch: Është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet. Kjo është çështja më e rëndësishme tani. Po flas në pamje më të gjerë që përfshin Evropën Lindore dhe atë Juglindore, sepse për shkak të luftës në Ukrainë, situata është bërë shumë më emocionale dhe më e paqëndrueshme. Natyrisht që agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka ndikim edhe në Ballkan, pasi e dimë se aktorë të mëdhenj, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë të përfshirë në çështjen e Ukrainës. Ata janë edhe aktorë të jashtëm në Ballkan. Pra, ekziston një lloj ndërlidhjeje që e bën edhe më të rëndësishme uljen e tensioneve dhe uljen në tavolinën negociuese, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Para marrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës, kanë qenë Shtetet e Bashkuara ato që kanë kërkuar një shtyrje të tillë, duke thënë se ka qarkullim të dezinformatave dhe një hap i tillë do të ndihmonte në kuptim më të mirë të vendimeve të autoriteteve të Kosovës. A e mori Qeveria e Kosovës vendimin e duhur?

Wolfgang Petritsch: Mendoj se është vendim i mençur që kontribuon në ulje të tensioneve. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në këtë rast, tentimet për zbatim të vendimeve nuk do të ndihmojnë në stabilizim të situatës, në të kundërtën, situata shumë shpejt mund të shndërrohet në konflikt serioz.

Trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë të përgatitura. Dhe, kjo tregon sa e rëndësishme është prezenca ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Mirëpo, nevojitet vazhdimi i dialogut. Kjo është e rëndësishme. Rruga e vetme që shoh unë si diplomat është që palët të bisedojnë dhe të angazhohen me (të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak dhe të gjejnë zgjidhje për këtë situatë të rrezikshme.

Vendimi për Asociacionin ka qenë i drejtë
Radio Evropa e Lirë: Dialogu ndërmjet dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është bllokuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit vitin e kaluar. Kë duhet fajësuar?

Wolfgang Petritsch: Nuk dua ta fajësoj askënd. Kjo situatë përbën një shembull tjetër se si çështjet e pazgjidhura mund të dalin shpejt prej duarve, dhe flet për vazhdimësinë e çështjeve të pazgjidhura. Këto situata duhet trajtuar. Është situatë serioze dhe mund të menaxhohet me përpjekje serioze, përpjekje politike, përpjekje të ndërmjetësuara politike.

Radio Evropa e Lirë: Një temë e nxehtë ndërmjet dy palëve është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kurti është deklaruar kundër Asociacionit etnik, mirëpo Serbia insiston në zbatim të marrëveshjes së arritur për të më 2013. A shihni ndonjë zgjidhje në këtë aspekt?

Wolfgang Petritsch: Mendoj se ka qenë vendim i drejtë. Mendoj se është e nevojshme që të ketë një lloj Asociacioni të bazuar në marrëveshjet e vitit 2015. Ajo duhet të zbatohet. Megjithatë, e shoh se Kosova qartazi nuk dëshiron të ketë një Republika Sërpska. Edhe linja e Uashingtonit dhe Brukselit është se nuk dëshirojnë një tjetër Republika Sërpska në Kosovë, mirëpo një asociacion të komunitetit serb atje, kur është fjala për çështje që mund t’ua përmirësojnë jetën atyre njerëzve.

Kjo fillimisht ka të bëjë me komunitetin serb, por diçka e tillë do t’i shërbente edhe komunitetit shqiptar, sepse janë duke jetuar bashkë. Duhet të gjendet kompromis. Pra, nuk duhet të jetë mbi baza etnike, mirëpo në të njëjtën kohë duhet t’iu japë të drejta minoriteteve ku janë, e që në këtë rast është komuniteti serb në veri të Kosovës.

Lufta në Ukrainë ka krijuar luftë të ftohtë
Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, ka tensione në veri të Kosovës, por edhe në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Sipas jush, a ekziston një faktor i përbashkët për një atmosferë të tillë?

Wolfgang Petritsch: Padyshim, është lufta në Ukrainë, e cila ka krijuar një lloj lufte të ftohtë. Nuk është vetëm lufta me armë në Ukrainë. Ekziston edhe një luftë e ftohtë në mes të Evropës perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara në njërën anë, dhe Rusisë e mbështetësve të saj në anën tjetër. Në Ballkanin Perëndimor, linja e demarkimit është përskaj këtij rajoni. Prandaj, situata është kaq e paqëndrueshme dhe afër përshkallëzimit në një tjetër konflikt ushtarak. Diçka e tillë duhet të shmanget në çfarëdo rrethane dhe KFOR-i ka një rol të rëndësishëm për të luajtur.

Në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga lufta në Ukrainë, NATO-ja është e përfshirë përmes KFOR-it, më pas misionit që ka në Bosnjë e Hercegovinë, anëtarësimit të Malit të Zi dhe vendeve tjera në rajon që janë anëtare të aleancës veri-atlantike. Pra, kjo e dallon nga Ukraina, ku NATO-ja nuk është e përfshirë dhe nuk duhet të përfshihet, ashtu që të shmanget një luftë botërore dhe luftë në dimensione evropiane.

Ajo që po ndodh në Ballkanin Perëndimor është konflikt i frenueshëm, por që ka potencial për përshkallëzim. Prandaj, jam i bindur se përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara, janë të një rëndësie të madhe në rajon.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë më shumë për të luftuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor?
Wolfgang Petritsch: Natyrisht se është e rëndësishme që t’i bëhet me dije Rusisë se për fqinjët e vendeve anëtare të NATO-s dhe të vendeve të BE-së, përpjekjet e Rusisë për shkatërruar procesin e paqes janë të papranueshme.

Radio Evropa e Lirë: Një anëtar i partisë në pushtet në Serbi, Vlladimir Gjukanoviq, ka pretenduar se Serbia do të detyrohet të nisë “denazifikimin e Ballkanit”. Shprehja “denazifikim” është përdorur nga autoritetet ruse si arsye për pushtim të Ukrainës. Si e komentoni këtë?

Wolfgang Petritsch: Çarmatosja verbale është shumë e nevojshme. U bëj thirrje të dyja palëve që të mos përshkallëzohen verbalisht, sepse siç e kemi parë me Ukrainën, përshkallëzimi verbal është shndërruar shpejt në përshkallëzim ushtarak. Prandaj vetëpërmbajtja – kur është fjala te retorika – është shumë e rëndësishme. Shpresoj që vendimi i Prishtinës për të shtyrë zbatimin e vendimeve do të ndihmojë në shtensionim të situatës.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i rrezikshëm përdorimi i shprehjes denazifikim?
Wolfgang Petritsch: Përdoret në mënyrë në gabuar, ashtu sikurse në rastin e Ukrainës.

Serbia është në pozicion delikat
Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Vuçiq, e ka falënderuar Ministrinë e Jashtme ruse për qasjen ndaj situatës në veri. Autoritetet ruse kanë fajësuar Kosovën për diçka të tillë. Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë dhe nuk i vë sanksione për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë. Si e shihni këtë qëndrim?

Wolfgang Petritsch: Serbia është në pozicion shumë delikat për shkak të furnizimeve me energji, pasi gati krejtësisht varet nga Rusia. Prandaj unë e shoh këtë si qasje pragmatike nga ana e Serbisë, që të mos përballet me situatë edhe më të vështirë, në të cilën Rusia do t’i ndalte furnizimet.

Radio Evropa e Lirë: Dikush mund të thotë se edhe BE-ja është në situatë delikate, sepse, shembull Gjermania është e varur disi nga burimet ruse të energjisë.

Wolfgang Petritsch: Po, mirëpo jo krejtësisht. Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të krijojë një plan pan-evropian për energji. Kjo krizë duhet të shërbejë si shembull sa i rëndësishëm është procesi i zgjerimit. Vetëm atëherë kur Evropa të jetë e bashkuar, nuk do të ketë diskutime se ku ka më shumë ndikim Rusia. Duke e parë mendësinë e konfliktit prej vitit 2014, unë gjithmonë kam thënë se duhet bërë thirrje Brukselit dhe vendeve anëtare për përshpejtim të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi është garancia e vetme për Ballkanin Perëndimor, për shmangie të politikave revizioniste të Rusisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju po supozoni se burimet e energjisë janë arsyeja e vetme pse Serbia ka qëndrim të tillë ndaj Rusisë, apo ka edhe arsye tjera?

Wolfgang Petritsch: Nuk është arsyeja e vetme, por mendoj se është më e rëndësishmja. Nëse e analizoni situatën në Beograd, mund të shihni sesi Serbia është duke tentuar që të balancojë situatën e vështirë në të cilën është, pa hequr dorë nga aspiratat evropiane. Kjo është situatë e vështirë për të gjithë ata që janë të përfshirë. Prandaj është e rëndësishme që të ecet përpara me përpjekjet e ndërmjetësimit, të zbatohen marrëveshjet për të cilat ka pajtueshmëri, në mënyrë që të stabilizohet rajoni. Nuk na duhet luftë tjetër. Ukraina veçse po mjafton.

“Dialogu Nuk Duhet Të Ndalet”
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se zhvillimet, sikurse këto të fundit në veri, mund të përsëriten derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Wolfgang Petritsch: Potencial do të ketë, fatkeqësisht. Tash e sa muaj nuk është bërë mjaftueshëm në procesin e dialogut. Dhe, ja ku është rezultati. Në muajt e kaluar nuk kanë ndodhur shumë gjëra, në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Këto lloje konfliktesh mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndalen. Bashkimi Evropian ka shumë përgjegjësi për këtë gjë. (Miroslav) Lajçak besoj se është i zënë natë e ditë për zgjidhje të situatës, mirëpo ai duhet të arrijë përparim edhe në aspektin e zbatimit dhe zgjidhje së konfliktit.

Radio Evropa e Lirë: Ju po thoni se BE-ja e ka në dorë faktin nëse do të ndodhë diçka në kuadër të dialogut?

Wolfgang Petritsch: Bashkimi Evropian është pranuar nga të dyja palët si ndërmjetësues. Prandaj, blloku evropian është në rol udhëheqës, duket të jetë aktiv dhe prezent në Beograd dhe Prishtinë, në mënyrë që të shohim rezultate. BE-ja duhet të rrisë angazhimin. Ky është një nga shembujt më të rrezikshëm sesi zvarritja nuk funksionon. Dialogu nuk duhet të ndalet. Nëse ndalet, rrëshqasim në konflikt. Ecja përpara është strategjia që mund të rezultojë e suksesshme./REL