Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur në lidhje me vizitën e drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq në manastirin e fshatit Bajë të Skënderajt.
“Pas interesimit të medieve dhe qytetarëve, në lidhje me vizitën e zyrtarit serb, drejtorit të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj, njoftoj opinionin e gjerë publik që si Kryetar i Komunës së Skenderajt, nuk kam qenë i njoftuar nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë vizitë. Në lidhje me këtë vizitë është dashur që Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim të plotë me mua si Kryetar i Komunës së Skenderajt”, ka shkruar ai.
“Veprime të tilla fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përseriten. Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve. Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të pa dëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk me njoftojë paraprakisht.”, shtoi Jashari.