Petkoviç: “Njerëzit tanë janë lodhur nga terrori i Kurtit”

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë më 1 gusht se në 24 orët e fundit kanë bërë të pamundurën “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” në komunat veriore të Kosovës.
Ai ka thënë se janë realizuar përpjekjet e tyre pasi shtetet e Quint-it dhe SHBA-ja i bënë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për reciprocitet lidhur me targat dhe dokumentet serbe dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në Bruksel.

“Po flasim me serbët e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka në dorën tonë për të mbajtur paqe dhe stabilitet, por njerëzit tanë janë lodhur. Askush nuk mund të durojë terrorin e përditshëm të Albin Kurtit”, ka thënë Petkoviç.