Sot bëhen 5 vite nga përleshjet e armatosura dyditëshe më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ku në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur i njohur si “Grupi i Kumanovës”. Pesë vite më pas, asnjë hetim ndërkombëtar dhe asnjë vendim i drejtë gjyqësor në vend, shkruan gazeta KOHA.
Pesë vite dhe “mjegulla” vazhdon të qëndrojë mbi këtë ngjarje tragjike të zhvilluar në lagjen e banuar kryesisht me shqiptarë e ku u shqiptuan dhjetëra dënime me qindra vite burg për vepër penale “terrorizëm”.
DORËHEQJA E JANKULLOVSKËS, MIJALLKOVIT DHE PREMTIMI I ZAEVIT
Atëkohë, me policinë udhëhiqte Gordana Jankullovska, ndërkohë me shërbimin sekret – DSK, Sasho Mijallkov. Me Agjencinë e Zbulimit udhëhoqi Naqe Çulev, ministri aktual i Policisë në Qeverinë teknike të sotit. Mijallkovi dhe Jankullocska, disa ditë pas përleshjes së armatosur, dhanë dorëheqje. Opozita e atëhershme, LSDM akuzoi se lufta e Kumanovës është skenar i VMRO-së pikërisht në kohën kur Zoran Zaevi po publikonte të ashtuquajturat “bomba” – mbi 25.000 përgjime ilegale të kryera nga shërbimi sekret i udhëhequr nga Mijallkovi. Madje, vet Zaevi 10 ditë pas rastit, vizitoi Lagjen e Trimave dhe premtoi hetim të drejtë me mbështetje ndërkombëtare. Premtime për hetim ndërkombëtar pati dhënë edhe BDI e Ali Ahmetit. Por, pesë vite më pas, premtimet kanë mbetur vetëm deklarata të regjistruara.