Pesë të saposëmurë në rajonin e Tetovës, numri i rasteve aktive me KOVID-19 është ulur në krahasim me muajin e kaluar


Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë sot shënoi pesë raste të reja të të sëmurëve nga Kovid-19 në gjashtë komunat e Tetovës.
“Prej gjithsej pesë rasteve të reja të të sëmurëve nga virusi korona, katër janë te banorë në kuadër të komunës së Tetovës dhe një rast i të sëmurit pranë komunës së Tearcës”, informoi Zorica Zafirovska, specialiste e epidemiologjisë pranë Qendrës së Shëndetit Publik.

Sot për herë të parë këtë muaj mbledhje mbajti Shtabi i Krizës së komunës së Tetovës. Sipas evidencës së tyre deri më sot në Tetovë dhe komunat përreth, numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 është 954.

“Prej këtij numri deri më tani janë shëruar gjithsej 557 persona, ndërsa 67 kanë ndërruar jetë, me çka numri i rasteve aktive në Tetovë dhe pesë komunat përreth është 330. Edhe pse kishim rritje të vazhdueshme të numrit të të infektuarve, në krahasim me një muaj më parë numri i rasteve aktive me Kovid-19 në komunën e Tetovës dhe pesë komunat përreth është ulur edhe atë nga numri 390 nga 22.06.2020 në 330 raste aktive deri më sot”, bëhet e ditur në kumtesën e Shtabit të Krizës.

Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë sot bëri të ditur se për periudhën prej 22 deri më 23 korrik në orën 7 për mosmbajtje të maskës mbrojtëse janë dënuar 78 persona në rajonin e Tetovës sipas nenit 6 të dekretit të Qeverisë. Në atë periudhë 10 personave iu janë përgatitur vendime të reja për izolim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, ndërsa u janë bërë kontrolle 595 personave me vendime të tilla dhe nuk ishin konstatuar parregullsi rreth respektimit të tyre.