Pesë anëtarë të një familjeje nga fshati Koretin i Kamenicës kanë vdekur brenda një muaji, si pasojë e infektimit me koronavirus. Nëna dhe katër fëmijët e saj nuk kanë arritur të përballojnë luftën me virusin.
Të premten u regjistrua vdekja e pestë në këtë familje. Bëhej fjalë për një burrë, që vdiq pas dy motrave, vëllait dhe nënës.
Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shëndetësore në Kamenicë si dhe kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.
“Sapo mora lajmin që edhe anëtari i pestë i një familje nga Kamenica ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19. Është tejet e dhimbshme për të gjithë ne. Numri i personave që nuk arritën ta fitojnë betejën me COVID19 ka arritur në 31. Prandaj, ju lutem, kujdesuni e respektoni të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetësisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen e më të dashurve të tyre!”, ka shkruar ai në Facebook.