‘Përvëlohet’ Greqia, sot priten temperatura deri në 48 gradë celsius

Vala e të nxehtit ka mbërthyer keq Greqinë. E teksa shumë zona presin ulje të temperaturave për shkak se kanë shpërthyer zjarret, sinoptikanët njoftojnë se sot do të jetë dita më e nxehtë në vendin fqinj.

Sipas parashikimeve temperaturat pritet të shkojnë deri në 48 gradë celsius, ndërsa autoritetet apelojnë që të shmangen daljet gjatë orareve të pikut të vapës.

Sipas parashikimit të motit nga dita e sotme, temperaturat do të rriten ndjeshëm në disa rajone të Greqisë, ndërsa temperaturat më të larta priten në Thesali, Sterea Lindore dhe Peloponez, termometri do të arrijë nga 43 deri në 45 gradë Celsius. Sterea dhe Peloponezi lindor 46 gradë Celsius.

Në Traki, Maqedoninë qendrore dhe lindore dhe në ishujt e Egjeut lindor temperatura do të arrijë nga 40 deri në 42 gradë Celsius. Në Ishujt Jon, Epir, Sterenë perëndimore dhe Maqedoninë perëndimore temperatura do të arrijë nga 38 deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në Kretë, Ciklad, Sporade dhe Dodekanezë 39 deri në 41 gradë Celsius.

E ndërsa gjysma e vendit do të “ziejë”, stuhi të përkohshme, me erëra shumë të forta veri-veriperëndimore priten pas mesditës në veriperëndim dhe më konkretisht në veri të Jonit, Epir dhe Maqedoninë perëndimore. Këto dukuri intensive do të shtrihen para mbrëmjes në Maqedoninë qendrore dhe Thesali dhe gjatë natës në Sporada.