Përveç klasës së tretë, MASH do t’i digjitalizojë librat edhe për klasat tjera të fillores

Front view of African american boy using laptop while drawing a sketch on book at home

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), do t’i blejë të drejtat autoriale të të gjitha librave për klasën e parë, dytë, katërt dhe pestë me qëllim që formatin e tyre elektronik të mund ta ngarkojë në bibliotekën digjitale “e-ucebnici” që nxënësit të kenë mundësi t’i shkarkojnë në telefona të mençur, tablet apo kompjuter.

Nxënësit e klasave të para dhe të dyta deri më tani nuk kanë pasur qasje në asnjë libër elektronik, pasi që MASH, nuk ka pasur të drejta autoriale për librat e tyre. Situata është thuajse e ngjashme edhe me nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta të cilat kanë pasur qasje vetëm në 6 libra elektronik. MASH, nëpërmjet konkursit ka ofruar t’i blejë të gjitha të drejtat autoriale të librave për këto klasa, të cilat kanë gjithsej 41 libra.

“Gjatë publikimit të Konkursit për çdo lëndë është theksuar edhe vlera, gjegjësisht kompensimi për të drejtat autoriale për versionin e shtypur dhe elektronik (vlera nuk do të ndryshohet, është caktuar sipas Rregullores për kriteret për konstatimin e lartësisë së kompensimit për transmetim të të drejtës materiale të autorit për librat për shkolla fillore dhe të mesme). Në “e-ucebnici“, publikohen të gjitha librat e miratuara që janë në pronësi të MASH, a MASH nuk ka mundësi t’i publikojë librat për të cilat nuk ka të drejta autoriale pasi që të njëjtat janë në pronësi të shtëpive botuese”, thonë nga MASH.

Në konkursin për librat e klasave të para, dyta, katërta dhe pesta vlera e kompensimit për bartjen e të drejtës autoriale dhe materialeve është në vlerë neto prej 254.800 deri në 284.830 denarë apo prej 4.100 deri në 4.600 euro për një libër. Afati për dorëzimin e teksteve është deri më 11 maj, ndërkaq një prej kushteve që kërkohet është që përveç formës së shtypur, librat të jenë të qasshme edhe në formën elektronike.

“Në të gjitha konkurset e deritanishme, autorët dorëzojnë formë elektronike të librit në “word” ose “pdf” format në cd ose usb. Në ueb-faqen “e-ucebnici”, të gjitha librat që janë në pronësi të MASH, gjegjësisht për të cilat MASH i ka blerë të drejtat autoriale të librave janë të qasshme dhe në të ardhmen do të jenë të qasshme në formatin “pdf”, thonë nga MASH. Sipas të dhënave të MASH, në arsimin fillor momentalisht janë miratuar për përdorim 51 libra, prej të cilave, 19 janë në pronësi të MASH-it, a 32 janë në pronësi të shtëpive botuese.

“Në rrjedhë është konkursi për përpunimin e librave për klasat e para, dyta, katërta dhe pesta dhe pas mbarimit të procedurës për miratim të njëjtat do të jenë në pronësi të MASH”, thonë nga MASH. Në arsimin e mesëm gjimnaz gjithsej janë të miratuara 146 libra, prej të cilëve vetëm 9 janë në pronësi të MASH, a 137 janë në pronësi të shtëpive botuese. Në arsimin profesional katër vjeçar të gjitha librat janë në pronësi të MASH, përveç librave për vit të parë dhe të dytë për gjuhë të huaja, të cilat janë në pronësi të autorëve.

“Vijojnë procedurat për përmirësimin librave dhe procedurave të konkursit”, shtojnë nga MASH.
Rikujtojmë se pavarësisht digjitalizimit të librave në fjalë, në RMV mësimi vazhdon të zhvillohen sipas formës tradicionale, me libra të shtypura apo të printuara. Mësimi nga librat elektronik, mbetet opsion vullnetar. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pavarësisht premtimit, nuk ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligj të ri për Libra dhe Materiale tjera Didaktike për Shkolla Fillore dhe të Mesme, pasi e tërhoqi ligjin në janar të vitit 2021 për shkak të vërejtjeve në publik për synimin e digjitalizimit të librave nga klasa e katërt dhe heqjen nga përdorimi i librave të shtypur./Portalb.mk/