Përtej çdo emocioni


Nga Sarë Gjergji

Koreodrama “Gjergj Kastrioti” – ëndrra për të mbajtur lart vlerat.

Historia shqiptare njeh kontributin e vazhdueshëm dhe shumë të çmuar të diasporës sonë, dhënë, në mënyrë të veçantë, në fushë të artit e të kulturës.

Ndonëse në rrethana të ndryshme nga koha e Rilindjes Kombëtare, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Arbëresha”, si gjymtyrë e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnah të Zvicrës, me koreodramën “Gjergj Kastrioti”, që shfaqi në ambientet e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë (10 nëntor 2018), me rastin e shënimit të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, dëshmoi edhe një herë se gjaku i arbrit rron.

Përmes lojës në skenë – valles, këngës, aktrimit- trupa e ansamblit “Arbëresha” arriti të rindërtojë dhe shpërfaq praninë e figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe gjithë Motit të Madh.

Nëse e marrim për të mirëqenë mendimin se qëllimi i një shfaqjeje në skenë është arritja e katarsisit, atëherë pa fije dyshime e themi se koreodrama Gjergj Kastrioti e arriti këtë te publiku, që në numër ishte shumë i madh, duke i dhuruar atij emocione vërtet të jashtëzakonshme.

Koreodrama në fjalë, nën konceptin regjisorial mjaft kreativ të maestros Xhemali Berisha, për çka meriton mirënjohjen tonë, vë në pah rëndësinë dhe vlerat e pakontestueshme që kanë Skënderbeu dhe Nënë Tereza për kombin tonë dhe jo vetëm.

Shfaqja, në mënyrë artistike, përcjell një porosi të thellë e të fuqishme, në një kohë krize identitare, për të gjithë ata që provojnë të nëpërkëmbin këto dy figura, që janë palca dhe vetë shpirti i gjakut shqiptar.

Loja mjeshtërore e gjithë artistëve, koloriti i veshjeve kombëtare (i kohëve dhe krahinave të ndryshme), sikundër dhe teksti e muzika e përzgjedhur, ishin në harmoni të plotë, duke i dhënë shfaqjes dimensionin dhe imazhin e një ngjarjeje reale.

Skena e fundit, momenti kur Gjergji bie në gjunjë para të shenjtës Nënë Tereza, është jo vetëm një moment, por është një dramë e tërë njerëzore, që të rrëqeth trup e shpirt.

Faleminderit, “Arbëresha”! Fluturuat nga Zvicra dhe na mbushët shpresë e jetë!