Nga fillimi i vitit shkollor, në Avokatin e Popullit kanë arritur shumë ankesa që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të personave me aftësi të posaçme. Zv. avokatja Vaska Bajramovska Mustafa, tha se numri më i madh i ankesave ka të bëj me mungesën e asistentëve në shkollë e posaçërisht qëndrimin e zgjatur për nxënësit e kësaj kategorie.
“Numri më i madh i ankesave të parashtruara nga prindërit, që nga fillimi i vitit shkollor e deri më sot ka të bëj me mos pasjen e kushteve, gjegjësisht mungesa e asistentëve arsimor dhe personal për fëmijët e tyre dhe mënyrën e formimit të paraleleve gjatë regjistrimit. Gjithashtu kërkojnë mundësimin e kushteve për krijimin e qëndrimit të zgjatur për një numër më të madh të fëmijëve, gjegjësisht shkollat ku janë të regjistruar këto fëmijë duke pasur parasysh se prindërit e këtyre fëmijëve janë në marrëdhënie pune dhe vihet në pikëpyetje puna e tyre për shkak të marrjes së fëmijëve herët nga shkolla”, tha Vaska Bajramovska Mustafa, zv.Avokate e Popullit.
Ndryshe nga Bajramovska, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se këtë vit ka numër të madh të asistentëve 720 kundrejt vitit të kaluar kur numri i tyre ishte vetëm 300.
“Jam I bindur se ka edhe shumë punë për të bërë dhe për këtë punë që duhet ta bëjmë dhe ta realizojmë duhet ta realizojmë bashkë institucionet e nivelit qendror, lokal, komunat, pushteti dhe ministria”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës. Goran Petrushev, kryetar i Lidhjes së Edukatorëve dhe Rehabilituesve special, tha se në vend është duke u zhvilluar një proces i madh reformash që kërkon kohë për krijimin e kushteve të duhura për personat me aftësi të posaçme.