Personat me aftësi të veçanta janë në qendër të vëmendjes vetëm më 3 Dhjetor, respektivisht në ditën ndërkombëtare të tyre. Ditëve të tjera të vitit, problemet dhe hallet e tyre thuajse nuk përfillen nga askush. Kështu vlerëson Xhelil Shkreta i cili tashmë sa vite, shok të pandarë të jetës ka këtë karrocë elektrike. Sapo të dalë nga shtëpia, Shkreta thotë se përballet me trotuare e rrugë të bllokuara nga makinat që pengojnë lëvizjen e tij të lirë.
“Ja, këtu më ka godit makina, edhe këtu me ka godit. Rrugë ka për të qarkulluar por janë të bllokuara me makina. Policia nuk del, komuna nuk merr masa me i pastru. Nëse nuk ka dikush me më ndihmu unë mbes aty. Shpesh jam rrëzu por më kanë ndihmuar. Ka pas rast kur gruaja me fëmij në krahë e ka lënë fëmijën dhe më ka ndihmu. Jo vetëm mua por ka shumë. Më shumë lëvizim me këto karrocat, nëse si kemi këto ne mbesim”- deklaroi Xhelil Shkreta, qytetar me aftësi të veçanta.
Sipas Shkretës, personat e kësaj kategorie janë të diskriminuar për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme në institucione të ndryshme.
“Sidomos, rrugët e tona duhet të jenë zbrazëta edhe kur duhet me shku diku, në ndonjë ambulantë. Nuk kemi rrugë me hy, me hy me karrocë, duhet mi thirr prej lart. Nuk marrë ndihmë sepse nuk kam nënshtetësi. Prej vitit 1970 jam këtu por më thonë se nuk i plotëson kushtet, ke problem. Tash prej atëherë më kanë bë si problematik”- tha Xhelil Shkreta, qytetar me aftësi të veçanta.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka obliguar të gjitha institucionet publike në Shkup që në afat prej 60 ditësh të krijojnë kushte të përshtatshme infrastrukturore për personat me aftësi të veçanta. Me rastin e kësaj dite, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi prezantoi katër rekomandime të përgjithshme për institucionet për eliminimin e diskriminimit sistematik ndaj personave me aftësitë veçanta: kujdes shëndetësor dhe akses në pikat e vaksinimit, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të personave të dënuar me aftësi të veçanta, rregullim të duhur dhe akses në qendrat e votimit dhe zbatimi I dispozitave të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të veçanta.