Personat e shurdhër s’kanë qasje në institucionet e RMV-së

15 vjeçarja nga Ohri, Vlora Veliu është gjenerata e tretë në familjen e saj që bëjnë pjesë në komunitetin e personave të shurdhër. Nëse përballë tyre është një person që nuk e kupton apo nuk e interpreton Gjuhën e Shenjave, komunikimi është i pamundur. Vështirësi sa i përket komunikimit, personat e shurdhër hasin në çdo orë të ditës, qoftë edhe kur realizojnë obligimet më të thjeshta ditore, si bërja e pazarit. Ajo thotë se për ta është e domosdoshme që Institucionet të angazhojnë përkthyes dhe interpretues së Gjuhës së Shenjave.

Në familjen time janë tre gjenerata të shurdhër, gjyshi dhe gjyshja, nëna dhe babai, unë dhe motra ime. Si të rinj tjerë edhe unë kam kohë të ulem para televizorit, megjithatë, nuk kuptoj asgjë. Ulem dhe për mua televizori është thjesht një kuti me ngjyra. Nëse edhe si në shtete tjera edhe tek ne do të kishte interpretues, do te na ndihmonte shumë. Jeta për mua dhe familjen time është e vështirë, flas nga eksperienca personale. Për të hyrë në banke, dyqane, nëpër ministri apo kudo qoftë në shoqëri, ne nuk kemi qasje. As nuk arrij t’i kuptoj dhe as nuk arrijnë të më kuptojnë”, tha Vlora Veliu, person me aftësi të kufizuara.

Marija Baseska Stojanovska, kryetare e Asociacionit të Interpretuesve të Gjuhës Maqedonase të shenjave “Glasni Race”, tha se institucionet në vend duhet të angazhohen për seriozisht që t’u mundësojnë qasje edhe personave të shurdhër. Ajo thotë se në gjendje të tillë janë mijëra persona.

Shteti ynë tashmë 30 vite bën përpjekje, megjithatë mbetet ende detyrim serioz që të gjitha institucionet të respektojnë Konventën dhe t’u mundësojnë qasje personave të shurdhër. Kur them qasje, kjo nënkupton që një person i shurdhër të mund të hyjë lirisht në bankë, në televizion për të dhënë deklaratë. Të mund t’i kryej të gjitha obligimet e tij”, pohoi Marija Baseska Stojanovska, interpretuese e Gjuhës së Shenjave.

Në faqen zyrtare të Lidhjes Nacionale të Personave të Shurdhër në Maqedoninë e Veriut figurojnë 31 persona të certifikuar si interpretues të Gjuhës së Shenjave. 23 Shtatori njihet si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 5% e popullsisë së botës vuan nga humbja e dëgjimit. Pesë për qind mund të duket si një numër i vogël, por që e përkthyer në numra arrin gjithsej mbi 360 milion njerëz në të gjithë botën. Rusia kryeson në listën e shteteve me numrin me të lartë të qytetarëve që kanë probleme me dëgjimin. Në botë ekzistojnë rreth 300 Gjuhë të Shenjave. Për herë të parë zyrtarisht, përdorimi i Gjuhës së Shenjave është regjistruar në fillim të shekullit të 17.