Persona të armatosur bastisin spitalin ku ndodhet Aya, vogëlushja që bëri për vete botën

Persona të armatosur bastisën një spital në veri të Sirisë, aty ku ndodhet vajza e vogël që lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti. Sipas asaj që shkruan The Independent, lajmi u konfirmua nga një zyrtar i spitalit i cili shtoi se autorët dhunuan drejtorin e spitalit. Zyrtari mohoi raportimet në rrjetet sociale sipas së cilave sulmi që ndodhi gjatë natës ishte një përpjekje për të rrëmbyer beben e quajtur Aya. Vogëlushja ndodhet në spital disa orë pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt. Nëna e Aya-s (në arabisht, shenjë nga Zoti) vdiq pasi solli në jetë vajzën. Kur u gjet ajo e kishte ende në trup kordonin e kërthizës… Babai i saj dhe 4 vëllezërit e motrat mbetën po ashtu të vrarë nga lëkundjet.

Zyrtari, i cili foli në kushtet e anonimitetit nga frika, tha se drejtori i spitali kishte dyshuar se një infermier i cili po i bënte foto Aya-s po planifikonte ta rrëmbente atë, ndaj dhe e dëboi nga spitali. Infermieri u rikthye disa orë më vonë, i shoqëruar nga persona të armatosur që rrahën drejtorin. Bashkëshortja e këtij të fundit po ushqente me qumësht gjiri Aya-n.

Kur mbërritën në spital, personat e armatosur u thanë oficerëve që po mbronin vajzën se ishin pas drejtorit të spitalit, pasi kishte pushuar nga puna shokun e tyre. Ata thanë se nuk ishin të interesuar për Aya-n, rrëfeu më tej zyrtari. Mësohet se përgjatë ditëve të fundit shumë njerëz ishin paraqitur në spital duke u hequr si të afërm të Aya-s, gjë që detyroi autoritetet të vendosnin oficerë policie për ta ruajtur. Xhaxhai i saj, Saleh al-Badran tha se vajza do të jetë në gjendje për t’u larguar nga spitali gjatë këtyre ditëve. Ai tha se do të jetë halla, e cila i mbijetoi tërmetit dhe ka sjellë së fundmi një fëmijë në jetë, që do ta rrisë Aya-n