Përsëri përp*lasje në BDI, Grubi nuk i përgjigjet Mexhitit dhe largohet nga salla e Kuvendit

Përsëri pikëpamje të ndryshme brenda BDI-së.Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Izet Mexhiti kërkon që pushteti duhet të mbajë më shumë llogari për premtimet që i jep para qytetarëve, deklaroi. Në seancën për pyetjet e deputetëve Mexhiti kërkoi sqarime nga zëvendëskryeministri Artan Grubi për zonën ekonomike në Vizbeg dhe për premtimet rreth përfaqësimit të drejtë etnik në sektorin privat. Ai tha se institucionet e kanë lënë pas dore këtë zonë ekonomike në të cilën pjesa më e madhe e kompanive janë shqiptare. Ai u kërkoi ministrave shqiptar të ndalojnë së fotografuari në vendin ku duhet të ndërtohet Autostrada Shkup-Bllacë por ta ndërtojnë sa më shpejt atë.

Mexhiti pyeti Grubin edhe për premtimin për përfaqësim të drejtë etnik edhe në sektorin privat, ide e cila sipas tij ka qenë e qëlluar.
Grubi nuk u përgjigj në pyetjet e koordinatorit të grupit parlamentar të partisë së tij. Njoftoi zv/kryetarin e Kuvendit se do të përgjigje me shkrim dhe lëshoi sallën. Kjo nuk është hera e parë e konfrontimeve të këtilla mes Grubit dhe Mexhitit. Ky i fundit nuk i ka fshehur pakënaqësitë ndaj përzgjedhjes së përfaqësuesve të partisë së tij në këtë përbërje të ekzekutivit.