Përse ka shkuar Edi Rama në Francë me avion special?

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Francës me një fluturim special. Mësohet nga burime në aeroportin e Tiranës, se z.Rama ka udhëtuar me një avion i cili është marrë nga kompania që fluturon nën ombrellën e Turkish Airlines dhe po përdoret vetëm për fluturime të Ramës dhe kabinetit të tij.

Zyrtarisht nuk u dha një informacion mbi këtë udhëtim të Ramës në drejtim të Parisit. Është e paqartë përse z.Rama ka shkuar në Francë, ndërsa fluturimet civile janë të pezulluara prej muajsh në të gjithë Europën.

Shefi i komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga bëri këtë reagim: “E turpshme akuza për udhëtimin 24 orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me Air Albania pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!”

Reagimi i Fugës erdhi pasi më herët Partia Demokratike kritikoi udhëtimin e Ramës: “E turpshme është që Edi Rama të harxhojë me mijëra euro për luksin personal, kur shqiptarët i ka lënë në pikë të hallit. E turpshme është që Edi Rama te udhëtojë si hajdut me charter personal dhe ta mbajë të fshehtë arsyen. E turpshme është të justifikosh luksin dhe vjedhjen e Ramës, duke akuzuar opozitën që zbuloi të vërtetën e udhëtimit në fundjavë prej 100 mijë euro me avion privat. Edi Rama nuk mund të fshihet. Ai ka udhëtuar me avion privat në fundjavë në Francë. Pse?”.

Ndërsa numri 2 i PD bëri këtë koment: “Ndërkohë që vendi është mbërthyer nga kriza, Edi Rama zgjedh të kalojë fundjavën në Paris. Duke shfrytëzuar avionin e Air Albania-s si charter personal, Kryeministri ka kaluar këtë fundjavë në Paris pa dhënë asnjë shpjegim apo njoftim zyrtar për arsyet e këtij udhetimi.

Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale?

Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal?

Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale.

Si mundet që Kryeministri ta trajtojë shtetin si pashallëk dhe të plotesojë qejfet e veta për udhëtime turistike ndërkohë që shqiptarët janë më të varfër se kurrë?

RAMAVIRUSI që ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, që ka varfëruar dhe lënë të papunë shumicën e tyre, shpërdoron fondet publike për interesa personale.

Shqipëria nuk është pashalleku i Edit të Surrelit. Mosha dhe zullumet e kanë plakur autokratin në ikje, që po braktiset çdo ditë nga qytetarët e ndershëm shqiptarë.