Nga Jeremy Rossman, TheConversation
Që kur nisi pandemia e Covid-19 në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit 2019, kemi parë se si virusi është shpërndarë në mbi 160 vende.
Disa vende kanë përjetuar shpërthime të mëdha, përfshi këtu Kinën, Korenë e Jugut, Italinë, Iranin, Spanjën, Francën, por edhe SHBA e Britania e Madhe kanë parë një rritje të ndjeshme të numrave. Por shumica e vendeve të botës kanë raportuar pak ose aspak raste me Covid-19.
Ndërsa ka të ngjarë që virusi ende nuk ka mbërritur dhe nuk ka nisur transmetimin e lokalizuar në çdo vend, shumë prej këtyre vendeve kanë marërdhënie të forta udhëtimi, emigrimi dhe tregtie me Kinën. Kjo shtron pyetjen: A janë këto numra të ulët për shkak se virusi nuk po arrin të krijojë infeksion? Apo është për shkak të kontrollit efektiv të kufijve? Ose, mos vjen kjo për shkak të mungesës së raportimit dhe ekzaminimit?
Ajo që të befason është se ka vetëm 63 rastë të raportuar deri më 15 mars në Rusi, nisur nga fakti se ky vend ka lidhje të ngushta me Kinën sa i përket udhëtimeve, emigrimit, imigrimit dhe tregtisë. Kjo ngre pikëpyetje sidomos kur sheh që vende të tjera me lidhje të ngushta me Kinën si Koreja e Jugut apo SHBA po përjetojnë numra domethënës të prekurish.
Po ashtu është interesante se në 15 vende që ndajnë kufirin tokësor ose detar me Kinën, vetëm 310 raste janë raportuar deri më 15 mars. Vetëm India ka raportuar më shumë se 100 raste dhe dhjetë vende kanë nga 0 deri në 5 raste. Nisur nga fakti se shumë prej këtyre vendeve kanë marrëdhënie domethënëse tregtie dhe udhëtimi me Kinën, ky nivel i ulët i rasteve mbetet befasues.
Pak raste në Afrikë
Përveç Rusisë, ka të tjera rajone të botës që nuk kanë raportuar ndonjë, ose shumë raste me Covid-19. Në veçanti bie në sy Afrika, ku përveç Egjiptit që ka raportuar mbi 100 raste, të tjera vende janë mes 0 dhe 5 raste.
Për 54 vende në Afrikë, ka pasur vetëm 253 raste, në krahasim me 167 mijë raste në mbarë botën deri më 15 janar. Ka disa arsye të mundshme për numrin e ulët të rasteve në shumë prej këtyre vendeve.
Ne jemi akoma në fazat e para të pandemisë së Covid-19, kështu që nuk është habi që disa prej këtyre vendeve nuk kanë pasur raste dhe nuk po përjetojnë një transmetim lokal të virusit. Por që të kuptosh arsyen se përse disa vende shumë të lidhura kanë pak raste, ka rëndësi për përpjekjet globale që të ndalohet shpërndarja e pandemisë. Ka një seri shpjegimesh për numrin e ulët, përfshi këtu lidhjet e dobëta të udhëtimeve, skanimi efektiv në kufi dhe kufizimet e fluturimeve, efektet e klimës vendase, një mungesë e skanimit dhe raportimit të rasteve, etj.
Kur konsideron udhëtimet, shumë vende në fjalë kanë nivele të ulëta udhëtimesh drejt Kinës. Kjo merr rëndësi edhe nga kufizimet e udhëtimit që vendosi Kina në fazat e para të shpërthimit, që mund të kenë shtyrë mbërritjen e virusit në shumë vende të Afrikës. Në ëktë skenar, rastet mund ët rriten në mënyrë të ndjeshme gjatë dy javëve në vazhdim për shkak të transmetimit në shumë vende europiane që kanë lidhje më të forta udhëtimi me Afrikën.
Por disa vende me lidhje shumë të mira udhëtimi, emigrimi dhe tregtie me Kinën, sërish kanë një numër të ulët, mes tyre Singapori dhe Japonia. Për këto vende ka pasur një skanim të hershëm dhe mjaft intensiv, kontroll dhe mbikëqyrje në kufi, që ka mbajtur nën kontroll shpërndarjen e virusit. Nëse këto masa qëndrojnë, këto vende do të shohin vetëm një rritje të vogël në javët në vazhdim.
Interesant është që të shihet se shumica e rasteve gjenden në veri të tropikut verior. Aktualisht ka vetëm 2025 raste në jug të tropikut verior. Numri i rasteve në vendet që banojnë ë ëktë rajon përbën vetëm 1.29 përqind të rasteve globale. Kjo mund të pasqyrojë marrëdhëniet globale të udhëtimit dhe tregtisë me Kinën ose mund të pasqyrojë ndikimin e klimës në transmetimin e Covid-19.
Gjithashtu është e mundur që një gamë e gjerë sëmundjesh infektive tropikale të ketë maskuar identifikimin e rasteve me Covid-19, të cilat shpesh kanë simptoma të buta dhe jospecifike.
Nëse klima ndikon në transmetimin e virusit, atëherë rastet mund të qëndrojnë të ulëta deri në ftohjen e motit në hemisferën jugore.
Në fund, rastet e pakëta të raportuara në shumë vende mund të vijnë nga mungesa e testimit ose mungesa e raportimit. Shumë vende ndjekin në mënyrë aktive politikën e testimit të atyre që janë me sëmundje serioze ose që kanë një histori udhëtimi në një zonë me shumë të prekur. Kjo mund të sjellë një nënraportim dramatik të rasteve dhe mund të rrezikojë aftësinë për të kontrolluar pandeminë, pasi OBSH ka thënë: “Nuk mund të luftosh një virus nëse nuk e di se kuështë. Gjejeni, izolojeni, testoni dhe trajtoni çdo rast për të thyer zinxhirët e transmetimit”.
Disa vende mund të mos kenë infrastrukturën dhe burimet për të lejuar testime në shkallë të gjerë, duke kufizuar aftësinë e tyre për të kontrolluar sëmundjen brenda vendit dhe duke krijuar potencialisht pika të nxehta nga ku mund të përhapet vazhdimisht virusi. Është e mundur që disa vende nuk raportojnë ndonjë ose shumë prej rasteve për të ruajtur reputacionin e tyre ose për ët parandaluar vështirësitë ekonomike që mund të shoqërohen me masa të kufizimit, siç janë kufizimet e lëvizjes.
Një lojë e rrezikshme
Ka një shqetësim të veçantë se pavarësisht lidhjeve të ngushta me Kinën dhe burimeve të gjera kombëtare, Rusia ka raportuar vetëm 63 raste, ndërsa është e mundur që ky numër i ulët të reflektojë kontrollin aktiv në kufi, ekziston shqetësimi se kjo reflekton edhe mungesë ekzaminimesh ose mungesë raportimesh.
Kombinuar me provat e fundit që Rusia qëndron pas disa fushatave të fundit të dizinformimit për Covid-19, kjo ngre shqetësimin se Rusia mund të jetë duke luajtur një lojë të rrezikshme me shëndetin global. Shpresojmë që ky të jetë thjesht një rast i kontrollit të mirë të kufijve ose i niveleve të ulëta të testimit, por koha e tregojë.
Kjo është një pandemi dinamike që po vazhdon të shpaloset dhe do të kërkojë përpjekje të bashkërenduara të çdo vendi në botë. Siç thotë drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus: “Ne jemi të gjithë bashkë në këtë”.