Konfuzioni lidhur me rezultatet e kreut të Komunës së Kumanovës, mund të jetë një nga ato raste që përfshihen në margjinën e gabimit të testeve. Në këtë linjë, shprehen nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila pranon se nuk është hera e parë që persona të kenë rezultuar më herët pozitiv, e pastaj negativ. Madje, rast i tillë ishte edhe ai kur viktima e parë e Kumanovës, pas testimit 2 herë negativ, pas vdekjes rezultoi pozitive. Megjithatë, lidhur me rastin e kreut të Kumanovës, që nxiti edhe zëra për një përplasje politike mes tij dhe qeverisë, nga QSHP e Kumanovës, theksuan:
Për çështje politike nuk do të flas, por në aspektin profesional. Ekipet tona në mënyrë profesionale i kanë marrë shtrishot, i kanë çuar në ISHP sikurse 1700 strisho deri më tani. Ne rezultatet i kemi marr ashtu siç kanë qenë, respektivisht pozitive. Ajo që ai ka pasur dy teste negative mund të shpjegohet nga natyra e sëmundjes sepse Korona Virusi është një infeksion i ri dhe ka shumë të panjohura lidhur me këtë infeksion. Ne kemi pasur raste që testet janë dashur të përsëriten sepse nuk ka pasur strisho sa duhet dhe ndonjëherë ka qenë në dilemë pozitiviteti”-pohoi Arif Latifi, drejtor i QSHP Kumanovë.
Nga Qeveria nuk duan t’i komentojnë pretendimet politike mbi këtë rast, por thonë se do të respektojnë protokollin mjekësor. Të gjithë pjesëtarët e ekzekutivit, të cilët ishin në takim javën që shkoi në Kumanovë me kreun e Komunës, do të vazhdojnë me izolimin shtëpiak, thuhet në përgjigjen e ekzekutivit.
Qeveria e RMV-së:
“Sipas rekomandimeve të epidemiologëve, Kryeministri Spasovski dhe të tjerët vazhdojnë të mbeten në izolim shtëpiak, duke i respektuar me shumë disiplinë rekomandimet dhe këshillat e mjekëve.”
Në izolim edhe për një javë do të vazhdojnë të mbeten edhe vetë kreu i Komunës së Kumanovës dhe anëtarët e Shtabit komunal për menaxhimin e krizës. Pavarësisht se një ditë më parë, kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski kërkonte anulimin urgjent të vendimin e izolimit për të dhe anëtarët e Shtabit komunal, sot, i kontaktuar sot nga ALSAT, Dimitrievski tha:
Protokolli i sigurisë për lëvizje me autoambulancë u bë duke telefonuar në numrin 192 për transportim nga shtëpia deri te Spitali Zhan Mitrev dhe laboratori Biotek ku edhe janë bërë testet, në mënyrë shtesë, analiza të tjera në AxhiBadem Sistina dhe në klinikën infektive të Kumanovës. Nuk i komentoj rezultatet, do respektoj procedurat e izolimit sipas vendimi që më është dhënë, është paralajmëruar edhe testim i ri për mua, megjithatë… nuk është koha për hetime dhe kurthe, por është koha të shpëtojmë jetë njerëzish”
Pavarësisht se Dimitriveski e zbuti qëndrimin e tij krahasuar me atë një ditë më parë, udhëheqësi i Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizës thotë se do të donte zhbërjen e vendimit për izolim.
Nuk dua ta besoj që testet u bënë për të stigmatizuar punën tonë. Megjithatë mbetet hapësirë që çështja e izolimit të diskutohet se çka mundet të del nga e gjithë kjo. Sigurisht që një pjesë e detyrave tona që kishim në teren dhe të gjitha aktivitetet tjera operative kanë mbetur në ajër.”-tha Goran Stojanovski, Udhëheqës i QRMK.
Kjo situatë e mjegullt nisi që me insistimet e vazhdueshme të kreut të Kumanovës për futjen në karantinë të plotë 14 ditore të kësaj komune si masë mbrojtëse ndaj pandemisë. Por vendimi u refuzua dy herë nga qeveria. Më datën 16 prill, kreu i Kumanovës dhe 9 anëtarë të Shtabit komunal të krizës, rezultuan pozitiv në testimet që i kishin bërë 5 ditë më herët. Por, rezultatet pozitive u njoftuan vetëm një ditë pasi qeveria zbriti në Kumanovë, për të shqyrtuar gjendjen e atjeshme, duke çuar në karantinimin e pjesëmarrësve nga kabineti qeveritar.
Adnan Qaili