Përplasje ndërmjet Komunës së Butelit dhe Ministrisë së Shëndetësisë


Komuna e Butelit dhe Ministria e Shëndetësisë asesi të gjejnë gjuhë të përbashkët për poliklinikën modulare në këtë komunë. Nga komuna mbeten në qëndrimin se objektet e këtilla duhet të dislokohen me qëllim që hapsira të lirohet për realizimin e projektit për ndërtimin e një poliklinike me themele, siç i nevojitet banorëve të Butelit. Gjithashtu, nga komuna thanë se deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht kërkesave të shumta që janë bërë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thanë për Alsat se nuk planifikojnë dislokimin e këtyre objekteve, por sipas këtij dikasteri, të njejtat shumë shpejt do të lëshohen në përdorim pasi të jenë kryer punët që kanë të bëjne me ndërmarjen publike “Ujsjellës dhe kanalizime”. Në mungesë të poliklinikës, banorët e Butelit shërbimet shëndetësore po i marrin në objektin e Shoqatës së pensionistëve, Ata shprehën të revoltuar për kushtet në këtë objekt.

“Katastrof është. Unë, kur isha 10 vjeç këtu jam kontrolluar por atëherë ishte objekt I ri. Kjo tani është stallë, turp, askund nuk ndodhë kjo. Nuk ke ku të ulesh, edhe mjekët nuk kanë faj, çfarë është puna nuk e di, te ambualanta modulare nuk përfunduan punimet”, u shpreh një qytetar.

“Nuk më pëlqen, nuk trajtohesh si pacient. Në korirdor të pyesin, ajo është diçka private, si për pacientët që kontrollohen po edhe ata që presin në corridor. Futuni brenda dhe do ti shihni se cilat janë kushtet”, tha një qytetare.

“Për askund janë kushtet, si në stallë, nuk duhet të jetë kështu. Këtu shpërndajnë ushqim e nga ana tjetër ambulantë. Ka shumë papastërti. Ne duhet të shkojmë në vend të pastër jo kështu”, deklaroi një qytetar tjetër. Siç thanë mjekët, në objektin e pensionistëve punojnë thuajse nji vit duke u përballur me kushte të vështira pune. Parcela ku janë vendosur objektet modulare ndodhet ngjitur me Komunën e Butelit. Fillimisht ishte menduar që aty të ndërtohej një objekt, por më pas autoritetet shëndetësore kishin vlerësuar se një poliklinikë modulare do të merrte më pak kohë ndërtimi, më pak mjete financiare dhe ofron efikasitet energjetik./Alsat.mk