Deputeti i BDI-së Ejup Alimi ka akuzuar ministrinë e punëve të brendshme se gjatë ndërhyrjes së fundit në fshatin Luboten ka terrorizuar banorët e pafajshëm të këtij fshati. Ai pyeti përse nuk parandalohet importi i duhanit ilegal por goditen banorët e pafuqishëm të cilët mbjelljen e duhanit e kanë veprimtari kryesore me të cilën mbajnë familjet. “Po terrorizohen banorët e pafajshëm, ata që me shekuj punojnë me djersë, fëmijët të cilët nuk e dinë çfarë ndodh. Keni shkuar në fshat me mjete luftarake për të kërkuar gjoja duhan të importuar ilegalisht. Përse drejtoria e doganave dhe policia nuk e pengon hyrjen në kufi të këtij duhani, përse nuk i ndiqni organizatorët por shkoni dhe terrorizoni banorët e Lubotenit. Ju bëj thirrje Qeverisë, policisë dhe gjitha organeve urgjentisht të mbajnë mbledhje dhe banorëve të ju kthehet duhani”, tha Alimi në seancën e sotme për pyetje të deputetëve. Në kundërpërgjigjen e tij, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski tha se 95% e duhanit të konfiskuar ka rezultuar se është nga lloji i dëmshëm dhe i ndaluar “Virginia” që sipas tij dëshmon se aksioni nuk ka qenë kundër banoreve. Ai tha se policia financiare dhe MPB nuk kanë hyrë në shtëpitë e banorëve të pafajshëm, por vetëm tek objektet ku kanë pasur informata se mbahet duhani i ndaluar dhe i importuar ilegalisht.