Polemika në distancë mes këngëtarëve Labinot Tahiri dhe Leonora Jakupi sonte është zhvendosur në “Debat Plus”.
Derisa Labinot Tahiri po fliste në debat për kërkesat e tij ndaj shtetit që lidhen me dasmat dhe pandeminë ka telefonuar Leonora Jakupi.
Ajo ka thënë se është keqkuptuar nga Labi pasi që nuk është kundër kërkesave të këngëtarëve por nuk është dakord me thirrjen për protestë, përcjell Telegrafi.
“Nuk jam për të mos mbrojtur të drejtat e kolegëve të mi, por jo të rrezikohet jeta e qytetarëve në këtë kohë pandemie. Nuk pajtohem me Labin që e ka minimizuar rrezikun e coronavirusit…Në këtë kohë është e pamundur të organizohen dasmat”, ka deklaruar Leonora Jakupi.
Leonora thotë se është ndjerë e ofenduar nga disa deklarime të Labit.
“Nuk është e thënë që të gjithë njerëzit që ndihmojnë t’i bëjnë publike ndihmat e tyre”, ka deklaruar më tej Leonora Jakupi.
“Ndoshta shumë këngëtarë kanë marrë kapar për dasma por nuk e di pse i kanë shpenzua aq shpejt”, ka vijuar Leonora Jakupi.
Labi është përgjigjur duke i thënë Leonorës: “Nuk është punë e juaja Leonorë se si shpenzojmë kaparin”.
“Unë dal në protestë nëse më bëhet e padrejtë. Unë fitojë bukën e gojës nga mikrofoni dhe askush nuk ma ndalon atë. Unë protestë bëjë jo në kohë pandemie por kur të krijohet mundësia”, ka thënë Labi në përgjigje të Leonorës.
Debati ka vijuar edhe më tej kur Leonora i ka thënë Labit se nuk duhet gjykuar të tjerët nëse ata nuk i publikojnë në media.
Ky i fundit i është përgjigjur duke i thënë se derisa Halil Kastrati e Elvis Naçi i përmendin çdo ditë ndihmat që japin edhe ai s’ka pse mos ta bëjë.