Policia e Shkodrës ka arrestuar edhe një person të 4-të, në lidhje me ngjarjen e dy ditëve më parë në Shkodër, ku pati shkëmbim me armë zjarri dhe si pasojë një kalimtare mbeti e plagosur.
Policia thotë se në vijim të operacionit “Reagimi:, u arrestua L. L., 27 vjeç, banues në lagjen Tepe, Shkodër.
Sipas policisë, “arrestimi i tij u bë, pasi gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar qe më ndërmjetësinë e këtij shtetasi, personat e arrestuar kanë shkuar në Shkodër, ku dhe kanë shkëmbyer zjarr më armë, me shtetasin Mirsad Meta”.
Ngjarja e dy ditëve më parë dyshohet për një konflikt të hershëm të nisur jashtë Shqipërisë.
Argjend Rexha, 31 vjeç, banues në Durrës, Ension Buraku, 28 vjeç dhe Riad Xheladini, 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni kanë pikasur Mirsad Metën të ulur në një nga stolat e pedonales dhe kanë qëlluar në drejtim të tij. Nga ana tjetër 26 vjeçari I është kundërpërgjigjur po me plumba.
Sipas burimeve të policisë së Shkodrës ngjarja e mbrëmshme dyshohet se ka lidhje dhe me eksplozivin që iu vendos në makinë efektives së policisë në Durrës, Ornela Buraku, më 27 janar 2020. Dyshohet se ajo është motra e Ension Buraku i arrestuar, i cili e lidh këtë sulm ndaj motrës së tij me 26 vjeçarin. Policia po heton dhe pista të tjera por është treguar e rezervuar pasi 26 vjeçari vijon të jetë në kërkim.