Përplaset me murin teksa udhëtonte me motor, ndërron jetë tragjikisht 17-vjeçari shqiptar në Itali

Një aksident i rëndë është shënuar në Itali, ku një 17-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë pas një aksidenti rrugor.
I mituri ndërroi jetë pasi u përplas me një mur në Bienno, të Valcamonica, teksa drejtonte motoçikletën.
Alen Karaboja, me origjinë shqiptare, por i lindur në Valcamonica, banues në qytet, vdiq pasi përplasi motoçikletën.

Me të, në të njëjtën motoçikletë si pasagjer, ishte edhe një shok një vit më i vogël, me origjinë marokene, i plagosur dhe i transportuar me kodin e verdhë në spitalin e Bergamos.
Sipas hetimeve të kryera nga policia rrugore, djali, i cili ishte në një festë ditëlindjeje me miqtë e tij, ka humbur kontrollin.
Ai u transportua me urgjencë me ambulancë ajrore në spitalin Civil në Brescia, ku zemra i ndaloi pak më pas. 17-vjeçari kishte mbërritur në urgjencë në gjendje shumë të rëndë.
Ai mbante një helmetë në momentin e aksidentit, por mendohet të kishte goditur kokën fort.