Përplasen mes vete shqiptarët në Greqi, ja për çfarë arsye

Autorët Jambelli dhe Leci porositën vrasjen e kryekomisar Cuku. Zhvatja e 10 mijë eurove ishte shkaku i përplasjes me armë dhe sende të forta, mes shqiptarëve në Greqi, ku të përfshirë rezultuan Bledar Jambelli e Kristaq Leci, të dyshuar si porositësit e vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku në Shqipëri në Prill të 2017.

Media greke “Protothema” ka zbardhur dosjen, ku rezulton se takimi i 22 Janarit të këtij viti që u mbyll në mënyrë të përgjakshme me 5 të plagosur ishte thirrur nga Bledar Jambelli. Ndërsa rol kryesor në ngjarje ka pasur Kristaq Leci, i cili ka qëlluar me armë dhe thikë ndaj një shqiptari tjetër, i cili duhet të paguante vlerën monetare. Autor i tretë i kësaj ngjarjeje është Marsel Bashimi.

Gjithçka është zbardhur nga kamerat e sigurisë në zonë që kanë ndihmuar hetuesit grek në zbardhjen e skemës së ngjarjes dhe më pas edhe identitetin e personave të përfshirë, si dhe dëshmia e personave të lënduar për shkakun e ngjarjes.

Shqiptari i cili ishte thirrur në takim nga Jambelli është futur vetëm fillimisht në furrën e bukës ku vetëm pak minuta më pas është sulmuar. Në ndihmë të tij kanë ardhur personat që e shoqëronin, por janë gjendur përballë plumbave dhe thikës së Lecit. Hetuesit kanë gjetur edhe disa komunikime të këtij të fundit në telefon ku fliste për zhvatjen e një shume prej 5 mijë euro dhe fliste me një gjuhë të ashpër ku shprehej se do t’ia merrte jetën me thikë.

Në dosjen e prokurorisë greke, e zbardhur nga Protothema, gjithashtu, bëhen të ditur edhe precedentët e Jambellit e Lecit, në Shqipëri e Greqi. Jambelli qarkullonte ne Greqi me 13 mbiemra dhe 10 emra dhe është i përfshirë në 15 ngjarje kriminale që nga vitet ‘90. Edhe Leci njihej me 3 mbiemra të tjerë dhe i përfshirë në të paktën 10 ngjarje kriminale. Atyre gjatë arrestimit iu sekuestrua edhe një arsenal armësh./Tv Klan/