Përmbytjet shtojnë presionin për shkëputjen e Gjermanisë nga epoka “Merkel”

Tashmë është vërtetuar se ndikimi që mund të kenë përmbytjet në politikën gjermane, mund të ndryshojnë rrjedhën e fushatave elektorale të partive politike, duke ndërtuar ose shkatërruar karrierën e një politikani.
Si ministër i Brendshëm i landit të Hamburgut, Helmut Schmidt e menaxhoi me aq shumë efikasitet krizën e shkaktuar nga përmbytjet në qytetin e tij në vitin 1962, sa që fitoi famë në mbarë vendin, duke u bërë kancelar 12 vjet më vonë.

Gerhard Schröder rrezikonte të mos rizgjidhej në detyrë në vitin 2002, kur kancelari socialdemokrat bindi votuesit për cilësitë e tij si udhëheqëse, duke vizituar zonat e përmbytura nga lumi Elba me një fytyrë të ngrysur dhe me një palë çizme gome në këmbë.

Edmund Stoiber, kundërshtari i tij konservator, që u tregua shumë i ngathët për të shfrytëzuar momentin, i humbi zgjedhjet dhe u mënjanua nga skena. Sipas këtij standarti, përmbytjet që bënë kërdinë javën e kaluar në Gjermaninë Perëndimore, duke vrarë të paktën 170 njerëz, duhej të kishin tronditur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit.
Në disa mënyra përmbytjet e kanë bërë këtë, por mesa duket jo deri në kufijtë e ndryshimit të rezultatit të mundshëm. Mbështetja për të gjitha partitë kryesore politike në Gjermani, është thuajse në të njëjtin nivel në sondazhe si para përmbytjeve.

Me rreth 30 për qind të votave,Demokristianët(CDU) dhe Unionin Socialkristian (CSU), partia e tyre motër bavareze, po ruajnë një epërsi prej afro 10 pikësh që e kanë krijuar që nga muaji maj ndaj të Gjelbërve që renditen në vendin e dytë.
Teksa ishin në krye të sondazheve në prill, të Gjelbrit duket se nuk janë në gjendje të rimarrin terrenin që kanë humbur gjatë 3 muajve të fundit. Ndërkohë socialdemokratët, partneri i vogël në “koalicionin e madh” të kancelares Angela Merkel, janë mbërthyer në vendin e tretë me rreth 16 për qind.

Demokratët e Lirë liberalë renditen të katërtit me rreth 12 për qind. Pas tyre vijnë Alternativa për Gjermaninë e së djathtës ekstreme dhe e majta radikale e Die Linke. Të dyja partitë kryesore i konsiderohen si shumë ekstreme për të qenë partnerë të koalicionit në nivel kombëtar.
Pra blloku CDU-CSU ka ende të gjitha shanset të drejtojë qeverinë e ardhshme gjermane. Njëkohësisht, mbeten të hapura hipoteza se me cilin mund të formojë një koalicion qeverisës. Të gjitha kombinimet e diskutuara para përmbytjeve, përfshirë atë të një qeverie të parë gjermane CDU-Gjelbër, janë të mundshme.

Gjithçka do të varet nga dita e zgjedhjeve. Thënë kjo, përmbytjet që ndodhën pak ditë më parë kanë rëndësi për disa arsye. Ato kanë nxjerrë në një dritë aspak serioze Armin Laschet, kandidatin e CDU për të zëvendësuar Merkel si kancelare.
Gjermanët preferojnë që udhëheqësit e tyre të jenë figura serioze, veçanërisht në momente krizash, dhe që të mos zgërdhihen në sfond siç bëri Laschet gjatë një vizitë në një qytet të përmbytur.

Deri para përmbytjeve, fushata e Laschet u përmblodh tek një mesazh i thjeshtë – rreziku – që votuesit gjermanë mund t’i besonin atij mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, në mënyrë që të mos devijonte nga politikat e kujdesshme që Merkel ka ndjekur gjatë qeverisjes së saj 16-vjeçare.
Por ai po cilësohet si një mbrojtës i industrisë së qymyrit në landin e tij në Nordrhein-Westfalen. Këto qasje janë nën kërcënim falë konsensusit të menjëhershëm në botën politike dhe mediatike gjermane, se përmbytjet kanë lidhje me ndryshimin e klimës.

Pikërisht për shkak të këtij konsensusi, të Gjelbrit e kanë pasur të vështirë të nxjerrin ndonjë avantazh politik nga përmbytjet. Ambientalizmi i tyre nuk i bën realisht më dallues. Për shumë votues, pyetja është nëse Annalena Baerbock, kandidatja e partisë për kancelare, ka cilësitë e duhura personale për këtë detyrë.
Që nga maji, kjo ka qenë një pikë delikate për të Gjelbrit. Mbi të gjitha, përmbytjet kanë nxjerrë në pah dobësitë në sistemet e reagimit ndaj katastrofave në Gjermani, dhe kanë hapur një debat rreth viteve të gjata të investimeve të pakta në infrastrukturë përgjatë epokës së Merkel.

Ato tregojnë se modeli federal i shumë admiruar i qeverisë gjermane, mund të dështojë në qoftë se politikanët në krye janë të vetëkënaqur apo të ngadaltë në veprime.
Për këto arsye, qeveria e ardhshme gjermane jo vetëm që do të duhet të shfaqë urgjencë më të madhe për ndryshimin e klimës, por do të jetë nën presion për të investuar më shumë mbi modernizimin e ekonomisë si një e tërë. Shkëputja nga epokën e Merkel, mund të jetë më vendimtare sesa ishte dukur para përmbytjeve.