Përmbyllet aksioni i shpërndarjes së 3091 pakove ushqimore nga Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet” (VIDEO)

Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet” ka përmbyllur shpërndarjen e pakove ushqimore nga donatori Qendra për Ndihmë dhe Punë Humanitare e Mbretit Selman të Arabisë Saudite. Gjithsej 3091 pako ushqimore janë shpërndarë në 13 qytete të vendit. Karvani i Merhametit me tre ekipet e saj të organizimit te shpërndarjes së ndihmave u ndal dje në Manastir, Prilep, Resnje, Krushevë, Demir Hisar, Dollnen, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Dibër dhe Ohër ku u shpërndanë 890 pakot e fundit në kuadër të këtij aksioni.

ERDUAN DAUTI, SHOQATA ‘MERHAMET’
“Sot e vazhdojmë aksionin humanitar me pako ushqimore nga Merhamet, me donator nga qendra e mbretit Selman. Sot kemi vizituar 3 qytete, momentalisht jemi në Manastir, ndërsa më herët bëmë shpërndarje në Komunën e Dollnenit, për të vazhduar më pas edhe në qytetin e Resnjës”.
Në Resnjë u ndanë 70 pako ushqimore. Juksel Jashar nga Resnja theksoi se ky aksion në muaj e Ramazanit do të ndihmojë sado pak më skëmnorët.

JUKSEL JASHAR
“Jemi këtu për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë përgjatë këtij muaji të Ramazanit. Dua t’i falënderoj dy shoqatat që kanë vendosur ta ndërmarrin këtë inciativë. U jemi mirënjohës thellësisht për gjithë këtë aktivitet”.
Ndërkohë në Cërnilisht të Dollnetit janë zbrazur 150 pako ushqimore, të cilat përveç në Dollnen do të shpërndahen edhe në Krushevë dhe Demir Hisar.

SAMEDIN IMERI
“Falenderojmë donatorin mbretin Selman dhe organizatën kulturore humanitare Merhamet. Bëhet fjalë për 150 pako ushqimore, që përmbajnë miell, kripë, fasule, makarona, oriz dhe artikuj tjerë”.

Për katër ditë me radhë janë vizituar mbi 3 mijë familje në nevojë në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Ohër, Veles dhe qytete tjera të vendit. Pakot ushqimore ishin donacion nga Qendra për Ndihmë dhe Punë Humanitare e Mbretit Selman të Arabisë Saudite, ndërsa logjistika dhe shpërndarja e pakove në terren ishte organizuar nga shoqata vendore “Merhamet”.