Përmbledhje nga takimi i djeshëm Zaev – Gashi


Në takimin e djeshëm të kryeministrit Zoran Zaev me liderin e Alternativës, Afrim Gashi, në parim është rënë dakord për pjesën programore të bashkëpunimit të mundshëm të ardhshëm të Alternativës në Qeveri, ndërsa pason takim i ri pune me ekipet. Përfundimet e takimit katërorësh mes Zaevit dhe Gashit dje në Klubin e deputetëve në Shkup janë bërë të ditura përmes një komunikate nga pres-shërbimi i Qeverisë, pasi Zaev në dalje vetëm shkurt tha se kanë pasur “takim konstruktiv”.

“Bashkëbiseduesit janë të mendimit se kursi reformues dhe evropian për të cilin janë përcaktuar qytetarët dhe shteti duhet të vazhdojnë dhe se në këto momente më i rëndësishëm është stabiliteti i institucioneve të shtetit, të cilat u shërbejnë qytetarëve. Filluan bisedimet për ndërmarrje dhe ndarje të përgjegjësive në interes të qytetarëve dhe shtetit, me ç’rast u këmbyen mendime rreth zgjidhjeve të mundshme kadrovike të cilat duhet t’i ndërmarrin obligimet potenciale dhe përgjegjësitë, përkatësisht për pozitat adekuate, ministra, zëvendësministra dhe persona të tjerë udhëheqës në kuadër të pushtetit qendror”, qëndron në kumtesën e shërbimit qeveritar për shtyp.Kryeministri Zaev në takimin me Gashin ishte i shoqëruar nga Kovaçevski, ndërsa lideri i Alternativës ishte i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i partisë Bekim Sali. Ky ishte takimi i tyre i dytë, pasi më 19 të këtij muaji diskutuan për kushtet dhe rolin e Alternativës në shumicën e re parlamentare dhe vendimi përfundimtar iu la organeve partiake.Kryesia qendrore e Alternativës të premten e autorizoi Gashin të fillojë bisedime me të gjithë aktorët politik, me kryeministrin dhe me mandatarin e ri të mundshëm, për të parë se cili është koncepti i tyre për dalje nga kriza politike, përderisa në mbledhjen e Këshillit qendror të LSDM-së, që u mbajt gjithashtu të premten, u konstatua dorëheqja e Zaevit nga pozita e liderit të partisë, por i ishte dhënë legjitimiteti për t’i zhvilluar negociatat për shumicën parlamentare.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi para mbajtjes së takimit theksoi se përcaktimi i partisë është të jepet mundësia për dalje nga kriza politike, si dhe nga kriza energjetike dhe shëndetësore dhe siç tha, të ndihmohet shteti që të mos e humbë mundësinë historike për të filluar negociata për anëtarësim në BE.“Do të shohim se cili është koncepti i kryeministrit dhe partnerëve të tij të tanishëm dhe çka presin nga kontributi ynë në qeverinë e ardhshme. Nëse arrijmë të ndërtojmë koncept të ri, ndryshime më të mëdha, mendoj se Alternativa është e gatshme të ndihmojë”, tha Gashi.Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se sa vende ministrore pret partia e tij, kryetari i Alternativës theksoi se për partinë kjo asnjëherë nuk ka qenë me rëndësi thelbësore dhe se për të nuk është me rëndësi të bisedohet për kritere politike.“Ajo pyetje është pjesa e dytë e cila është sekondare për ne dhe mjaft më e parëndësishme nga e para që është normative, rreth konceptit të cilin do ta ndërtojmë së bashku dhe nëse do të mund t’i mënjanojmë ato pengesa gjatë funksionimit të deritanishëm të Qeverisë, tha Gashi.

Ai tha se partia mbetet në qëndrimin se në interes të të gjithë qytetarëve është të mos ketë zgjedhje të shpejta.Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i komunës së Gostivarit, Arben Taravari konsideron se nëse Alternativa pranon të hyjë në përbërjen e re të Qeverisë, kjo nuk do të zgjasë shumë dhe se viti 2022 do të jetë vit zgjedhor.Taravari pas takimit me ambasadorin e OSBE-së, Klemens Koja është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për zhvillimet aktuale në vend. I pyetur për pritjet nga takimi i paralajmëruar ndërmjet Afrim Gashit dhe Zoran Zaevit, ai komentoi se do ta respektojnë vendimin e Alternativës, duke përmenduar se në zgjedhjet paraprake si koalicion kanë fituar 82 mijë vota “pro”, kundër politikës së BDI-së.“Para një viti e gjysmë dolëm me zotëri Gashin në zgjedhjet parlamentare dhe fituam vota nga qytetarët kundër politikës së BDI-së. Marrëveshja ishte nënshkruar për katër vite dhe gjithsesi nuk duhet t’i përmbahen asaj. Si do të vendosin, ashtu. Ne do ta respektojmë vendimin e tyre. Nëse hyjnë në Qeveri, ajo qeveri nuk do të jetë e qëndrueshme, sepse ka jostabilitet në LSDM.” tha Taravari.

Për veprimin e partisë “Aleanca për Shqiptarët” ai përmendi se do të mbetet në opozitë dhe tashmë i bëjnë përgatitjet për Kongresin që e planifikojnë në pranverë. Në atë kongres prioritet do të jetë riorganizimi i dhe riemërtimi i partisë me të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.