Përfundon seanca, merret vendimi për babanë e Albert Krasniqit

Prishtinë, 29 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.K. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit S.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri S.K. mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, të cilët janë familjarë të të pandehurit, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri ekziston rreziku se do të pengohet rrjedha e procedurës penale.

I pandehuri S.K. dyshohet se me datë 27.01.2021 rreth orës17.00, në parkingun e ndërtesës ku edhe ka banuar, nga motive ende të panjohura deri më tani ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin A.K. dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri A.K ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.