Përfundon gjendja e krizës në Dibër, dhjetë ditë nuk ka të infektuar të rinj


Pas 10 ditëve pa asnjë të sëmurë të ri nga coronavirusi dhe 30 ditë të kaluara nga shpallja e gjendjes së krizës, prej dje në territoret e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë vlejnë masat e njëjta si në mbarë vendin.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas propozimit të Shtabit kryesor koordinues të krizës, i hoqi të gjitha masat e parapara për territorin e dy komunave të përmendura të cilat ishin në fuqi sipas planit të aksionit të përgatitur më 13 mars 2020.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku tha se nga aspekti epidemiologjik, vendosja e gjendjes së krizës në Dibër dhe Zhupë ka kontribuuar në 10 ditët e fundit, të mos ketë raste të reja të personave të infektuar me coronavirus.

“Bilanci i deritanishëm, shpresojmë përfundimtar, është në vijim: nga 49 pacientë të konfirmuar me COVID-19 – 16 të shëruar, 4 të vdekur, për 8 priten rezultate nga testimi i dytë, 29 pacientë janë në mjekim shtëpiak”, theksoi Buxhaku.

Ai theksoi se personat mjekësorë, si lokal, ashtu edhe ata të ardhur për të ndihmuar nga pjesë të tjera të vendit, e meritojnë falënderimin më të madh për krejt çka bënë dhe po bëjnë për qytetarët e Dibrës dhe Qendrës Zhupë.

Buxhaku iu falënderua edhe pjesëtarëve të MPB-së, Armatës së RMV-së, Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Kryqit të Kuq, organizatave humanitare joqeveritare dhe të gjithë të tjerëve për kontributin e tyre të madh për tejkalimin e gjendjes së krizës. Përgëzimin më të madh, theksoi ai, e meritojnë qytetarët e Dibrës dhe Qendrës Zhupë të cilët maksimalisht iu përmbajtën të gjitha masave të sjellura nga ana e institucioneve.